E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kursimet, dosja mbyll hetimet

28/12/2004  

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vjedhjen e 2.5 miliardë lekëve në ish-Bankën e Kursimeve në Tiranë. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë dje se ekspertët kontabël të bankës kanë përfunduar të gjithë veprimet e kontrollit të dokumentacionit dhe kanë njësuar shkeljen dhe dëmin ekonomik që është shkaktuar gjatë katër viteve. Sipas Prokurorisë, numri i personave të pandehur mbetet tetë, edhe pas përfundimit të kontrollit të përgjithshëm të dokumentacioneve. Prokuroria nuk ka ngritur akuzë ndaj disa personave që, fillimisht, ishin të dyshuar. Punonjësit e sigurisë i kanë shpëtuar hetimit. Ata u dyshuan se kishin shkatërruar sistemin e kamerave brenda institucionit, pasi hetuesit e Prokurorisë vërtetuan se gjatë katër viteve, kamerat nuk kishin regjistruar asgjë. Pas hetimeve dhe thirrjes së dëshmitarëve, rezultoi se kamerat nuk ishin furnizuar me kaseta dhe bateri për shkak të personave të tjerë që merreshin me financën. Prokuroria ka sekuestruar rreth gjysmën e shumës së vjedhur në Bankën e Kursimeve, me qëllim rikthimin e saj. 2.5 miliardë dollarë janë vjedhur nga Banka e Kursimeve gjatë viteve 2001-2004. Gjatë kësaj kohe, tetë punonjës kanë plotësuar fatura false dhe kanë tërhequr para në mënyrë të paligjshme nga banka në emër të personave të tjerë. Për katër vite me radhë, depozituesit e llogarive në këtë bankë, nuk e kanë marrë shumën e interesit, pasi ajo përfundonte në xhepat e tetë personave të akuzuar të dosjes. Prokuroria ka zbuluar se vjedhja ka qenë e organizuar. Paratë e vjedhura në bankë janë investuar për blerjen e apartamenteve, hapjen e llogarive bankare në një bankë private në Tiranë, blerje makinash dhe veprimtari të tjera financiare. Një pjesë e këtyre parave, janë sekuestruar nga Prokuroria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›