E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: S'mbajnë përgjegjësi se ç'mund të sjellin protestat

28/12/2004  Demokratët deklarojnë se opozita nuk do të marrë asnjë lloj përgjegjësie për atë çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve në rast se do të jenë të manipuluara. Madje, PD nuk përjashton dhe një skenar si ai i Ukrainës, ku vendi u izolua për disa ditë si pasojë e akuzave për manipulim të votave. Kryetari i PD-së, Berisha tha dje se nuk do të mbajë përgjegjësi për atë çfarë mund të sjellë acarimi i turmave. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela, tha në një prononcim për median se opozita nuk mund të tolerojë një degradim të zgjedhjeve. "Këta kanë falimentuar, ndërsa procesi zgjedhor që në fillim është i nisur me ves, ne nuk mund të pranojmë një gjë të tillë, por ne kemi në dorë të drejtën për ta denocuar dhe nuk marrim asnjë lloj përgjegjësie se çfarë mund të ndodhë me zgjedhjet. Në momentet që gjykojmë se zgjedhjet janë të degraduara, patjetër do t'u drejtohemi njerëzve", tha Ngjela. Për demokratët që votimet të zhvillohen të lira dhe të ndershme duhen të zbatohen standardet dhe rekomandimet e BE-së, por, sipas tij, standardet nuk mund të zbatohen me hartën zgjedhore ekzistuese. "Parlamenti mori një konsensus në lidhje me këtë, por më 22 dhjetor socialistët kanë ndërruar mendim", tha Ngjela. Pra, tha ai, socialistët nuk janë dakord të riparojnë ndarjen zonale që janë skandaloze. Po të marrim vetëm disa rrethe, siç janë Gjirokastra, Saranda dhe Delvina kanë 50 mijë votues më shumë sesa kanë popullsi të regjistruar, pra ka gjëra skandaloze të tilla që ne nuk mund t'i pranojmë, sepse zgjedhjet janë të komprometuara", sqaron sekretari demokrat.

Procesi

Demokratët janë të mendimit se sa më shumë të zgjasë kolapsi për miratimin e hartës elektorale, aq më e disfavorshme bëhet situata për të pasur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. "Socialistët janë të gjithë në disfavor. Sa më shumë të zgjasin intrazigjencën e tyre, aq më keq është për ta, por nëse ata do t'i qëndrojnë kësaj, unë mund të them se zgjedhjet janë të komprometuara", tha Ngjela. Me sa duket, opozita nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicionet e saj për sa i përket çështjes së miratimit të ndarjes së re zonale. Demokratët janë të bindur se me ndarjen aktuale maxhoranca hyn në zgjedhje me 6 deputetë, të garantuar pa nisur votimi. Mosmiratimi i hartës së re zonale rrezikon dhe miratimin e kodit të ri zgjedhor, i cili kërkon 3/5 e kartonave të parlamentit për t'u aprovuar. Demokratët kërkojnë që Kodi Zgjedhor dhe harta e re elektorale të jenë pjesë e një pakete, ndërsa nga ana e socialistëve kërkohet që të miratohet në fillim Kodi i ri Zgjedhor, ndërsa harta të lihet për miratim në muajin shkurt, pasi të jetë rishikuar dhe një herë nga komisioni i posaçëm. Në rast se ndodh kjo, atëherë shqiptarëve do t'u duhet të presin shtatorin për t'iu drejtuar kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›