E Hënë, 2 Nëntor 2026

MIG-19, në janar dosja në gjykate

28/12/2004  TIRANË –Prokuroria “fsheh” fajtorët e rrëzimit të avionit luftarak MIG-19, ku humbi jetën majori 46-vjeçar, Jani Tarifa. Zyrtarë të Prokurorisë Ushtarake në kryeqytet, thanë dje se dosja hetimore për rrëzimin e avionit është duke përfunduar. “Të gjitha ekspertizat dhe verifikimet shkencore, kanë ardhur në Prokurori dhe hetuesit kanë konkluduar mbi shkakun e rrëzimit të avionit. Ky konkluzion është gjetur nëpërmjet një rruge të hetimit shkencor”, thanë zyrtarët e akuzës ushtarake. Sipas tyre, në muajin janar të vitit të ardhshëm, pas përfundimit të afatit zyrtar të pushimeve, pritet që dosja të shkojë në Gjykatën e Tiranës për shqyrtim gjyqësor.

Fajtorët

Asnjë deklaratë apo institucion nuk publikohet nga Prokuroria, nëse pyet për të akuzuarit e dosjes. “Është një gjë e cila dëmton hetimin dhe gjykimin”, thonë burimet e akuzës. Ata thanë se, përfundimisht, dhe në mënyrë shkencore është vërtetuar se shkaku i rrëzimit ka qenë teknik dhe se piloti 46-vjeçar Jani Tarifa, nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi për shkak të defektit në mjetin fluturues. “Është një defekt në pjesën e djathtë të sistemit motorik. Kjo pjesë quhet edhe qendra e shpërndarjes së forcës”, thanë dje burimet e Prokurorisë Ushtarake. Sipas tyre, ekspertizat kanë vërtetuar edhe cilësinë e dobët të karburanteve dhe vajërave me të cilat janë përdorur avionët luftarakë, MIG-19.

Aksidenti

Mëngjesin e datës 16 shtator të këtij viti, teska ndahej nga toka, avioni që drejtohej nga Jani Tarifa, mbajti në të majtë të trajektores. Më pas në të djathtë dhe sërish në të majtë, por kësaj radhe derisa u përplas me tokën. Avioni mori flakë menjëherë dhe mes pajisjeve u dogj edhe armatimi me të cilin ishte ngarkuar mjeti fluturues. Edhe dy avionë të tjerë ishin ngritur pak çaste më parë nga e njëjta pistë. Ministria e Mbrojtjes është përpjekur ta hedhë fajin mbi majorin 46-vjeçar, por Prokuroria ka thënë se asnjë provë nuk hedh dyshime mbi veprimet e majorit. Ai kishte pasuar avari në avion edhe dy herë të tjera, por kishte arritur të shpëtonte. Avioni MIG-19 ka mbërritur në Shqipëri në vitin 1974. Ai ka kryer 405 orë e 11 minuta fluturim, ndërsa ekpsertët thonë se gjendja teknike linte për të dyshuar.

T.Sokolaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›