Meta: Viti 2005 do shënojë largimin e Nanos dhe Berishës
28/12/2004 Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur dje se viti 2005 do të sjellë zhvillime tepër pozitive për shqiptarët. Sipas tij, ndryshimet do të jenë si në arenën politike, ku ka premtuar largimin e Nanos dhe të Berishës, ashtu dhe në sferën ekonomike. Meta tha se LSI, në zbatim të programit të saj, do të angazhohet në rritjen e punësimit si dhe në rritjen ekonomike të familjeve shqiptare. Këto qëndrime, Meta i ka dhënë në një takim festiv në qytetin e Durrësit, ku është duke zhvilluar një tur takimesh. Në takim kanë marrë pjesë rreth 300 durrsakë. Ndërsa Meta është shoqëruar me nënkryetarin Xhufi, Haxhinaskën dhe me zëdhënësin Dervishi. Gjithashtu në takim merrnin pjesë dhe drejtuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim Ervis Mataj dhe Dritan Ylli. Në fjalën e tij, Meta ka kritikuar dy drejtuesit e partive të mëdha, duke theksuar se tashmë ata janë të konsumuar dhe duhet të krijojnë mundësitë për zgjedhje të lira dhe demokratike në mënyrë që të japin Shqipërisë shansin për integrimin në Bashkimin Evropian. Meta ka theksuar se LSI synon të jetë forcë kryesuese pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Ndaj, Meta tha se me zbatimin e programit të LSI-së, Shqipëria do të shënojë hapa të mëdha ndryshimesh. Por e rëndësishme, sipas tij, është krijimi i kushteve që shqiptarët të shprehin të drejtën e tyre të zgjedhjes.