Berisha: Potencialet dhe ambicia jonë, të bëhemi prodhues 100 përqind të energjisë së rinovueshme

Kryeministri Sali Berisha tha dje se Shqipëria ka të gjitha potencialet dhe ambicien të bëhet prodhuese e 100 për qind të energjisë së rinovueshme dhe importues i saj dhe se energjia e rinovueshme ka rëndësi përcaktuese në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Këtë vlerësim, Kryeministri Berisha e bëri në Forumin e Investimeve për Prodhimin e Energjisë Hidrike në Shqipëri, organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen financiare të sektorit privat në Shqipëri. Ky është Forumi i pari për investimet në fushën e energjisë hidrike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, investitorëve që zbatojnë projekte në fushën energjetike në Shqipëri, investitorë potencialë në këtë fushë, kompani në fushën e inxhinjerimit, ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve financiare shqiptare e ndërkombëtare. Kryeministri Berisha, duke përshëndetur punimet e këtij Forumi, tha se rezervat ujore të Shqipërisë janë shfrytëzuar në më pak se 1/3 e tyre dhe 2/3 presin për t’u shfrytëzuar. Qeveria shqiptare ka nënshkruar 110 kontrata koncesionare për ndërtimin e 300 hidrocentraleve, janë investuar në energji hidrike 650 milionë euro dhe janë në investim e sipër qindra milionë të tjerë. Një nxitje e madhe për investimet në këtë fushë, - u shpreh kryeministri - ishte miratimi i ligjit të koncesionit për hidrocentralet. Aktualisht po zbatohet një ndër projektet më të mëdha në kaskadën e lumit Devoll, ndërkohë që projekte me fizibilitet shumë të lartë janë edhe kaskada e Vjosës, Osumit, Matit, Drinit të Zi. Kryeministri garantoi investitorët se qeveria shqiptare është e vendosur të adaptojë standardet më të mira dhe të vendosë kuadrin rregullator më nxitës, për suksesin e projekteve të tyre. “Ky sukses - tha Kryeministri - ka një rëndësi përcaktuese në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij vendi në rrugën jeshile. Sukses, i cili shndërron pasuri kolosale të Shqipërisë në vlera për qytetarët e saj”. “Shqipëria ka përjetuar me shumë vështirë e pasoja krizën energjike. Shqipëria si vendet e tjera ka përjetuar dhe përjeton me vështirësi problematikën e pasojat e ndryshimit të klimës. Por Shqipëria, krahas këtyre, ka të gjitha mundësitë e potencialet për të ecur në një rrugë jeshile të zhvillimit të qëndrueshëm, ka të gjitha mundësitë dhe potencialet që në këtë zhvillim të mos përsëritë gabimet e vendeve të zhvilluara, të mos bëjë hapa të gabuara. Në këtë kontekst, një nga mundësitë më të mëdha të këtij vendi janë potencialet e jashtëzakonshme të saj për energjinë e rinovueshme. Ne kemi mundësi të bëhemi një vend me 100 për qind prodhim energjie të rinovueshme dhe importues i saj. Ne kemi mundësinë reale të jemi një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon dhe ne kemi edhe ambicie të madhe për të qenë të tillë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka e të ecim në këtë rrugë. Rezervat ujore të vendit janë shfrytëzuar në më pak se 1/3 e tyre, ndërkohë që 2/3 presin për t’u shfrytëzuar. Deri në vitin 2006, për 3 dekada me radhë në vend nuk ishte ndërtuar as edhe një burim i ri energjie hidrike. Lumenjtë e vendit rridhnin dhe derdhnin ujërat e tyre në det, ndërkohë kur ato mund të ishin një energji e madhe. Vendi vuante ndërprerje masive të energjisë. Dy ishin vendimet më të rëndësishme të qeverisë sime. Vendimi i parë bazohej në konceptin se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe pasi vendosëm këtë koncept në bazë, nuk ka pasur më asnjëherë ndërprerje për mungesë të energjisë elektrike në Shqipëri dhe nuk do të ketë. Së dyti, ne vendosëm të bënim gjithçka për të shfrytëzuar burimet tona ujore dhe për t’i shndërruar ato në burime energjetike. Brenda dy vitesh, ne miratuam një ligj për koncesionet për hidrocentralet dhe mund t’ju them se është një nga arritjet më të shkëlqyera. Falë këtij ligji, në Shqipëri shpërtheu një garë e paparë në historinë e tregut të këtij vendi, por ndofta e paparë në historinë e tregut energjetik të ndonjë vendi tjetër. Rezultati i kësaj gare është se qeveria shqiptarë ka firmosur 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve. Ligji, që nuk e lejon qeverinë të negociojë direkt me investitorin, pothuajse parandalon ndëshkimin. Një nen i tij i jep bonos atij që sjell i pari projektin. Një nen tjetër i ligjit, pasi ky projekt shkon në garë, paraqitet në treg dhe i jep atij fitoren në qoftë se dikush tjetër nuk paraqitet. Ndërkohë në rast se në garë paraqiten investitorë të tjerë, natyrisht vlerësimi bëhet sipas sistemit të caktuar të pikëve. Kjo solli një nxitje të madhe të investitorëve. Nëse pyesni se si kanë qenë garat, unë ju ftoj t’i hidhni një shikim. 98 përqind e tyre kanë qenë gara me më shumë se 2 apo 3 pjesëmarrës. Rastet, kur gara është fituar vetëm me një pjesëmarrës, kanë qenë ekzotike. Ky ligj shërbeu si një nxitës i madh, krahas faktorëve të tjerë”- u shpreh kryeministri. Berisha tha se lumenjtë e Shqipërisë të gjithë së bashku, bëhen sa Danubi, ndërsa specifikë tjetër për vendin tonë është lartësia mesatare më e madhe në Europë, 708 metra. “E vërteta është se Shqipëria nuk ka lumenj të mëdhenj si Danubi, por lumenjtë e saj të marra sëbashku bëjnë Danubin. Ka një meritë se lumenjtë e saj kanë një zbritje nga lartësitë, si rrallë në ndonjë vend tjetër. Shqipëria është vendi me lartësinë mesatare më të madhe në Europë, 708 metra. Të gjitha këto dhe disa specifika të terrenit i bëjnë investimet ndër më rentabël për situatë piku, por edhe me përmbytjet më të vogla”- tha më tej kryeministri.
...