E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Ndarja politikë e re dhe e vjetër solli përçarjen e së majtës

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, deklaroi dje se përçarja e PS-ja para zgjedhjeve të 2009-ës mund të korrigjohet vetëm me një rishikim serioz dhe të përgjegjshëm të mënyrës së administrimit të partisë dhe distancimit nga afera e 21 prillit me Sali Berishën. Ai vërejti se duhet të mos ekzistojë më ndarja që ka bërë lidershipi socialist me politikë e re dhe politikë e vjetër, duke ndjekur politikat e bashkimit. “Në parti është nevojë urgjente rrëzimi i murit të Berlinit që ngriti mentaliteti i vjetër i lidershipit të partisë nëpërmjet ndarjes 'politike e re, politikë e vjetër'. Gjithëpërfshirja dhe bashkimi nuk mund të realizohen kur në mbledhjet e asamblesë nxiten thirrjet: “Kush të dojë të rrijë, kush të dojë të ikë!” dhe as duke fërkuar duart kur Luan Rama largohet drejt socialisteve të LSI-së. Mendoj se kryesia e partisë sonë duhet të reflektojë mbi propozimin tonë të dhjetorit 2007 për thirrjen e një kongresi reformash statutore që bashkojnë partinë”, - tha Koçi. Megjithatë, ai sheh si mjaft urgjente nevojën për distancimin e PS-së nga afera e 21 prillit me Sali Berishen. “Kjo bashkon jo vetëm PS-në, por edhe gjithë opozitën. Shumë socialistë të vërtetë janë në pritje të reflektimit të institucioneve drejtuese e vendimmarrëse të partisë”, - deklaroi drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale, Petro Koçi.

Meta: Deputetët e PS-së, bashkëpunëtorët e Kryeministrit

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretarja rajonale për qarkun e Vlorës, znj. Brizida Gjikondi dhe nga sekretari për marrëdhëniet me publikun z.Luan Rama, zhvilluan dje disa takime me qytetarë të Vlorës. Gjatë këtij takimi Meta shprehu shqetësimin e tij edhe për sa i përket bashkëpunimit të ngushtë të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët sikurse i quajti Meta, janë kthyer tashmë në bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryeministrit Berisha, si në natën e 21 prillit ku miratuan ndryshimet e Kushtetutës apo edhe me konsensusin që i dhanë ata për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. "Kjo është edhe më e rëndë kur këto gjëra ndodhin në bashkëpunim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Është shumë e rëndë që edhe këtë rregullore pasi rrëzuan pesë dekretet për Gjykatën e Lartë, na propozuan deputetë të Partisë Socialiste. Po si mund të bësh këtë rregullore, kur Kushtetuta përcakton mjaft qartë që Presidenti dekreton dhe Parlamenti miraton", - citoi Meta. Por si mund të diskutohen dekretet e Presidentit në Komisionin e Ligjeve, tha Meta, duke shtuar se është absurde se si mund të marrë këto atribute ky komision për të penguar dekretet e Presidentit, kur dihet se ky komision ka vetëm rol konsultativ për Parlamentin? Prandaj, tha Meta, nuk ka zgjidhje për çështje më shqetësuese për qytetarët shqiptarë, për sa u përket çështjeve të pronave, legalizimeve etj., etj., sepse sipas tij, nëse do ndryshohen në këtë mënyrë Kushtetuta, nëse rrëzohen në këtë mënyrë themelet e shtetit, këto çështje nuk kanë për të marrë fund asnjëherë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›