Post-Gërdeci, shkarkime dhe dorëheqje tek Mbrojtja
Ministria e Mbrojtjes përfshihet nga një valë shkarkimesh dhe dorëheqjesh, ndërkohë që janë bërë dhe emërimet e menjëhershme. Shkarkimet kanë prekur drejtoritë kryesore të këtij dikasteri dhe priten të tjera zëvendësime në ditët që vijnë. Post-Gërdeci po shoqërohet edhe këto ditë me të tjera ndryshime, ndërkohë që synimi i ministrit të ri, Gazmend Oketa, është krijimi i një strukture sa më funksionale dhe eficente. Nisur nga kjo, ish-drejtori i Departamentit Juridik, Ndue Marku, është shkarkuar nga detyra me urdhër të ministrit. Pasi i është kërkuar dorëheqja dhe nuk është dhënë prej z. Marku, për arsye se do humbiste statusin e nëpunësit civil është shkarkuar dhe zëvendësuar nga Rezart Tërshana, jurist në këtë drejtori. Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me emërimin e ri në Drejtorinë e Instalimit të Burimeve të Mbrojtjes të z. Ardian Shashaj. Kurse Muharem Kajolli, drejtor i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes është dorëhequr. Në vend të tij është emëruar z. Edmir Kapidani, ish-kryetar i PD-së së Durrësit dhe ish-deputet i kësaj partie. Nga ana tjetër, shefi i kabinetit, Arben Simaku, i ka lënë vendin e punës z. Besnik Dervishi. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve, ende vazhdon të jetë vakant vendi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pas shkarkimit nga kjo detyrë të z. Luan Hoxha. Aktualisht nuk ka ndonjë kandidaturë konkrete, ndërkohë që përmendet emri i Arian Zaimit, ish-kandidatit për President të Republikës në zgjedhjet e një viti më parë. Aktualisht Zaimi përfaqëson Shqipërinë në selinë e NATO-s në Bruksel. Para pak ditësh, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi në një intervistë për “standard” se “pasuesi i Gjen. Hoxhës do të jetë nga radhët e ushtarakëve me gradë madhore”. Ai siguroi se shumë shpejtë do të caktohet dhe shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm. Oketa garantoi se cilido që të jetë, ai do të ketë mbështetjen e tij maksimale si ministër i Mbrojtjes, me besimin se të njëjtën gjë do t’i ofrojë dhe pasardhësi i Hoxhës. Gjithsesi, sipas ministrit të Mbrojtjes, reforma është diçka shumë më e madhe sesa një vend pune, më shumë apo më pak. Vetë objektivat që ka Ministria e Mbrojtjes, vetë detyrimet që lindin nga anëtarësimi në NATO, kanë kërkesë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave.
Italianët, gati të financojnë autostradën Tiranë-Elbasan
Kryeministri Berisha takoi dje një grup investitorësh italianë, përfaqësues të shoqërisë italiane të kompanive të ndërtimit të rrugëve, të kryesuar nga senatori Karlo Bernini. Investitorët italianë paraqitën projektet e tyre për financimin e autostradës Tiranë-Elbasan, si dhe interesin e tyre për akse të tjera rrugore si atë Thumanë-Rrogozhinë, rrugën e Arbrit apo Aksin e Jugut. Gjithashtu, zoti Bernini i paraqiti Kryeministrit Berisha interesin e kompanive italiane për të financuar dhe menaxhuar shërbimet spitalore. Kryeministri Berisha, duke i falënderuar investitorët për interesin e shfaqur në sektorin e infrastrukturës rrugore, i njohu ata me zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, si dhe me rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria në disa prej fushave më të rëndësishme. Kryeministri theksoi se qeveria që ai kryeson, ka si prioritet kryesor në këtë mandat të sajin, ndërtimin e infrastrukturës së rrugëve kryesore dhe dytësore. Në këtë kuadër, - u shpreh Kryeministri, - ky projekt është i mirëpritur dhe mbështetur nga qeveria. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se do të shihet me interes dhe projekti i propozuar në fushën e shëndetësisë për menaxhimin e shërbimeve spitalore.