Lutaj: Qeveria, asnjë masë për ushtarakët dhe punonjësit e policisë
Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, akuzon qeverinë se nuk ka zbatuar as ligjet që ka miratuar vetë për ushtarakët dhe punonjësit e policisë. Në një komunikim me mediat, Lutaj vuri në dukje se “Parlamenti ka miratuar ligje për trajtimin e këtyre njerëzve të nderuar që kanë shërbyer në të katër anët e Shqipërisë dhe aktualisht për shkaqe të ndryshme (më së shumti politike) nuk shërbejnë më në to”. Ai vuri në dukje se për ta vërtetuar këtë vlen të theksohet se qeveria nuk ka plotësuar detyrimet ndaj ish-ushtarakëve për trajtimin suplementar të tyre, megjithëse një gjë e tillë rrjedh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që mban datën 26.2.2007. “Ne e dimë shumë mirë se gënjeshtrat dhe mashtrimet e atyre që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit nuk duan ta zgjidhin problemin e ish-shtarakëve, sepse nuk i konsiderojnë votuesit e tyre. Pra, grykësia dhe cinizmi kalon çdo kufi, teksa dëgjon deputetët e mazhorancës të shprehen se me ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e policisë ne nuk merremi se ata nuk janë votuesit tanë”, - tha Lutaj.