Berisha: Presidentin e zgjedhim me LSI

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një takimi me strukturat e partisë në Vlorë, se zgjedhja e presidentit të ri të vendit do të bëhet sipas marrëveshjes me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ai shtoi se kjo marrëveshje me LSI do të zbatohet “dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin”.
Ndër të tjera Kreu i qeverisë ka akuzuar dhe opozitën për qëndrimet e mbajtura. Ai u shpreh se kreu i PS-së edhe kur fiton nuk e di se ka fituar.
“Kryetari i PS ka një problem shumë të madh. Problemi i tij i parë është se nuk fiton, së dyti dhe kur fiton nuk di se ka fituar. A mund të edukohet ai që të njohë se kush fiton? Në politikë nuk ka kurrë “të tërë ose asgjë”. Ti fiton diçka dhe tjetri diçka tjetër. Sigurisht që unë do të doja që kandidati të ishte një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, por arsyeja kërkon që të respektosh kundërshtarin” u shpreh Berisha.
Duke sjellë në vëmendje zgjedhjen e kreut të shtetit në vitin 2007 , ai theksoi se nuk ishte në nivelin që duhet të ketë procesi për zgjedhjen e presidentit.
“Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja e presidentit të republikës ka qenë absolutisht e padenje sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin fortunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në atë proces dhe që kemi marrë pjesë edhe në procesin tjetër e kemi ndjerë veten të turpëruar nga ajo procedurë aspak dinjitoze dhe njeriu kur gabon nxjerr mësime dhe nuk përsërit të njëjtin gabim”, tha Berisha.