E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Privatizimi i ARMO-s rrezikoi sabotimin

Një proces i vështirë, që rrezikoi sabotim serioz, por që gjithsesi u mbyll me sukses. Kështu e konsideroi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë privatizimin e kompanisë ARMO, e cila miratoi kontratën e shitjes së 85 për qind të aksioneve të shoqërisë së karburanteve ARMO, me vlerë 130 milionë euro. Duke folur para ministrave për ecurinë e procesit, Berisha bëri të ditur faktin se individë të korruptuar tentuan të sabotojnë privatizimin. Madje, qeveria ka paditur në prokurori sabotatorët e ARMO-s. Berisha vuri në dukje se Policia Kriminale neutralizoi sabotatorët, që po përpiqeshin ta dështonin procesin. “Kjo ndodhi pasi këta zyrtarë kishin marrë oferta nga kompani të tjera. Procesi u kompletua me sukses të plotë, gjobëvënësit apo gjobëprerësit morën përgjigjen që meritonin dhe arka e publikut shqiptar do të ketë 130 milionë euro më shumë për të ndërtuar rrugë, shkolla, për të rritur pagat, për të zvogëluar borxhin”, – theksoi z. Berisha. Kryeministri falënderoi Ministrinë e Brendshme, Policinë Kriminale, që me ndërhyrje të saktë neutralizoi në kohë veprimin e papërgjegjshëm, korruptiv, të punonjësve, të cilët bashkëpunuan për sabotimin e procesit. Kryeministri vlerësoi se ndërhyrja lejoi ministrinë të marrë vendimet e duhura dhe dosja tashmë ka shkuar në Prokurori. Kundrejt kësaj, Kryeministri e cilësoi privatizimin e ARMO-s si procesin më të suksesshëm dhe transparent të këtij lloji gjatë 18 viteve të fundit në Shqipëri. “Kjo procedurë ka qenë shembull dhe dëshmi e kompetencës, integritetit dhe transparencës së veprimtarisë së qeverisë dhe ministrisë përkatëse. Ky është padyshim privatizimi më i suksesshëm në historinë e vendit dhe këtë e dëshmojnë të gjitha faktet”, - vlerësoi kreu i qeverisë. Sipas tij, në vitin 2004, për këtë kompani, me të gjitha anekset dhe aksesorët e saj, u ofruan gjithsej vlera 10 milionë dollarë. Ndërsa, pa anekset dhe aksesorët e tjerë, pa një seri pikash shpërndarjesh dhe magazinimesh, me të cilat është krijuar një ndërmarrje tjetër, kompania u privatizua me vlerën e 130 milionë eurove. Kryeministri informoi se qeveria e tij është e vendosur që vetëm në privatizimin ARMO BISS të marrë shumë më tepër sesa iu ofrua ARMO-s në tërësi 4 vjet më parë. Ai e konsideroi suksesin e arritur në privatizimin e kësaj shoqërie gjithashtu dëshmi të rritjes së besimit të biznesit ndërkombëtar për të investuar në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›