Ndarja e dytë e PS-së, nanoistët me parti të re
Të larguarit nga Partia Socialiste, kryesisht mbështetës të ish-kryetarit Fatos Nano, që janë grupuar prej disa muajsh në një lëvizje politike, paralajmërojnë krijimin e një partie të re politike. Kështu, PS rrezikon të pësojë ndarjen e dytë të madhe që pas largimit të Ilir Metës, pikërisht para zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Skena është thuajse e njëjtë. Edhe Ilir Meta krijoi partinë e tij fiks një vit para zhvillimit të zgjedhjeve të 2005-s. Lajmi bëhet i ditur nga drejtuesi i kësaj lëvizjeje, Petro Koçi, i cili ka bërë tashmë zyrtare afrimin e tij në grupin parlamentar të LSI-së. Në një njoftim për mediat, Koçi bëri të ditur se janë pikërisht kushtet që janë krijuar qysh pas ndryshimit të sistemit zgjedhor ato që çojnë në nevojën e krijimit të një subjekti elektorat socialist, siç e quan ai. “Ndërkohë kushtet e krijuara nga sistemi zgjedhor Rama-Berisha bëjnë të domosdoshme ndërmarrjen e hapave të mëtejshme organizative dhe juridike për kthimin e lëvizjes në një subjekt elektoral socialist më vete”, - thuhet në këtë njoftim të z. Koçi. Ai arsyeton më tej se “në këtë rast edhe bashkëpunimi në koalicionin "E majta për Integrim” do përfitojë mundësi të reja për të garantuar fitoren e zgjedhjeve ndaj Berishës dhe bashkimin e gjithë socialistëve pas zgjedhjeve”. Koçi bën të ditur se tashmë lëvizja politike tashmë do të ketë përfaqësimin e saj institucional në Kuvend pas formimit të grupit të ri parlamentar “E majta për Integrim” në marrëveshje me socialistët e LSI-së. “Përjashtimi i mendimit ndryshe për shkak të mentalitetit berishian të lidershipit të PS-së, tashmë parti ish-socialiste, e detyroi lëvizjen tonë institucionale të kërkojë instrumente përfaqësimi jashtë grupit parlamentar të PS-së”, - shprehet Koçi. Nuk bëhen ende të ditura detaje të kësaj nisme të re të mbështetësve të ish-kreut socialist, por ajo që tashmë është e sigurt, është bashkëpunimi i këtij subjekti të ri elektoral me koalicionin e Ilir Metës, “E majta për Integrim”, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë këtij njoftimi Koçi preferon të shpjegojë arsyet përse u përfshi në grupin parlamentar të LSI-së dhe ç’është më e rëndësishme, pse duhet hedhur hapi i kërkimit të instrumenteve juridike për kthimin e lëvizjes në një subjekt elektoral socialist. Në këtë mënyrë, mundësitë e një bashkimi të socialistëve bien, në një kohë kur u duhen të përballen me krijimin e një partie të dytë që del nga gjiri i saj. Janë të shumtë mbështetës të ish-kreut socialist, por edhe ata të pakënaqur nga dora drejtuese e Edi Ramës në këto tre vite qëkur ka marrë drejtimin e partisë. Tanimë mbetet vetëm që instrumentet juridike të përcaktojnë hollësi të reja të këtij grupimi, por edhe për të zbardhur nëse do të jetë Nano ai që do e drejtojë, apo Petro Koçi. Gjithsesi, ajo që mund të thuhet e sigurt është se një bashkëpunim Meta–Nano tani duket më i afërt.