E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shqipëri kalojnë kolonat ushtarake sllovene

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin "Për lejimin e kalimit tranzit në Shqipëri të tre autokolonave dhe trupave ushtarake, sllovene". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, autokolonat dhe trupat ushtarake sllovene do të kalojnë tranzit në Shqipëri, në datën 4 shtator 2008 dhe do të ndjekin itinerarin Qafë Thanë-Porti i Durrësit. Vendimi parashikon që gjatë itinerarit të lëvizjes nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, autokolonat dhe trupat ushtarake sllovene do të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Topi-Haradinaj: Durrës-Morinë, arteria e lëvizjes së lirë

Kreu i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte dje në Pallatin e Brigadave, ku u takua me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në takim u diskutua rritja e bashkëpunimit dypalësh ekonomik në fusha me interes të ndërsjellë, si ajo energjetike, dhe u nënvizua rëndësia e përfundimit të rrugës Durrës-Morinë, si një arterie të lëvizjes së lirë. Haradinaj e Topi diskutuan edhe për situatën në Ballkan dhe ndanë të njëjtën pikëpamje se “e ardhmja e të gjitha vendeve rajonale është e projektuar drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane”.

Qeveria, edhe 82 milionë lekë për AKSHI

Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në buxhetin e miratuar për vitin 2008, zëri “Shpenzime për investime”, do t’i shtohet fondi prej 82.000.000 (tetëdhjetë e dy milionë) lekësh, për pagesën e kostos lokale dhe për investime në fushën e teknologjisë së informacionit. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për shtesë fondi në buxhetin e vitit 2008, për AKSHI-in, e cila do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Topi, dialog me diplomatët e rinj kosovarë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje një grup studentësh kosovarë, të cilët po ndjekin një kurs specializimi në Akademinë Diplomatike të Shqipërisë. Kreu i shtetit duke dialoguar me brezin e ri të diplomatëve kosovarë nënvizoi arritjet e deritanishme gjatë procesit të njohjes së Kosovës si një shtet i ri në hartën politike të botës, falë edhe mbështetjes së demokracive më të fuqishme perëndimore, si dhe emërimet e dhjetë ambasadorëve që do ta përfaqësojnë atë në kancelaritë ndërkombëtare. Kreu i shtetit vuri në dukje nevojën e koordinimit dhe bashkëpunimi sinergjik mes diplomacisë shqiptare dhe gjithë strukturave dhe institucioneve legjitime të Kosovës, duke theksuar se pas demokratizimit të Ballkanit dhe largimit përfundimtar nga skenarët e luftërave ndëretnike, po mundësohet përditë e më tepër orientimi i tij drejt integrimit të plotë euroatlantik dhe po projektohet e ardhmja e sigurt në gjirin e familjes evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›