E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika Shkurt

Xhufi: Premtimet e Kryeministrit, të pavlefshme

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha dje se deklarimi i Kryeministrit se vitin tjetër do ketë një miliard më shumë dollarë në krahasim me këtë buxhet, nuk ka vlerë nëse llogaritet shkalla e rritjes së inflacionit, zhvleftësimi i dollarit, rritja e borxhit të jashtëm e të brendshëm, shpenzimet e paparashikueshme, siç janë ato që lidhen me financimin e rrugës Durrës-Kukës, pa projekt e pa preventiv. “Shifra prej 1 miliard dollarësh që ai pretendon të jetë një suficit në të ardhurat e këtij viti, nuk vjen absolutisht nga rritja e prodhimit, nuk vjen nga performanca në luftën kundër korrupsionit, kundër evazionit fiskal, apo në luftën kundër ekonomisë informale, apo nga ulja e shpenzimeve”, - tha Xhufi, duke arsyetuar se nëse të ardhurat janë rritur me ndonjë kacidhe, kjo ka ardhur si rezultat i një politike represive të organeve tatimore e doganore mbi bizneset, nga gjobat arbitrare e abuzive, nga rritja e çmimeve të referencës. Njëkohësisht, Xhufi përmendi edhe disa fakte, që sipas tij, janë dështime aktuale të qeverisë. “Ndërkohë që në spote donkishoteske, z. Berisha premton angazhimin e tij personal e të celularit të tij në luftën kundër nëpunësve të korruptuar, një korrupsion kolosal, i lidhur me ministra e pushtetarë të lartë, po konsumohet çdo ditë para syve të shqiptarëve”, - shtoi nënkryetari i LSI-së.

PDS: Rritja e pagave, manovër elektorale e Berishës

Partia Demokracia Sociale konsideron se premtimi i Kryeministrit Berisha për rritjen e pagave dhe pensioneve vitin që vjen nuk përbën gjë tjetër, veçse një manovër të pastër elektorale, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sipas sekretarit politik të kësaj partie, Artur Duçkallari, Kryeministri i qeverisë së dështuar mendon se do të gënjejë dhe blejë votat e rreth 100 mijë buxhetorëve dhe mbi 500 mijë pensionistëve, duke i trajtuar ata jo si qytetarët e tij, por si mall elektoral. “Loja e Berishës me shifrat e rritjes së pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike për PDS është një abuzim dhe spekulim me 800.000 familje buxhetore vetëm një muaj larg datës së zgjedhjeve. Politika e qeverisë, e “ndarjes së kockave”, pasi tulin e pushtetit ta kenë shijuar ministrat dhe klanet e Berishës, dëshmon dështimin e plotë të alternativave me të cilat PD erdhi në pushtet”, - tha Duçkallari.

Deputetët e PS-së, akuza qeverisë për skandalin e misrit

Me një tufë kallinjsh mistri pa kokrra, që i ekspozuan para kamerave, deputetë të PS-së përsëritën dje sërish akuzat në adresë të qeverisë shqiptare lidhur me çështjen e farës së misrit në disa zona të vendit. Deputeti Taulant Balla, i shoqëruar edhe nga deputetë në zonat elektorale të të cilëve është vënë re ky fenomen, akuzuan direkt Kryeministrin Berisha si përgjegjës të kësaj situate. “Kjo katastrofë për ekonominë familjare të fshatit dhe kjo papërgjegjshmëri e skajshme e shtetit në raport me ngjarjen kanë vetëm një përgjegjës: qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha dhe vetë Kryeministrin”, - tha Balla. Sipas tij, është qeveria që përmes strukturave të saj duhet të organizojë punën në rang republike për kontrollin e të gjithë inputeve bujqësore që hyjnë në Shqipëri, të cilat në vite kanë degraduar vijimësisht për të ardhur deri tek kjo ditë, kur mijëra familje mbjellin misër dhe pas një viti punë u mbeten në duar kallinjtë pa kokrra të korrupsionit e të paaftësisë absolute të qeverisjes së Sali Berishës. “Kryeministri s'duhet të heshtë për këtë pabesi shtetërore ndaj mijëra familjeve të fshatit, që duhen dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit për humbjen kolosale që u ka shkaktuar papërgjegjshmëria shtetërore”, - tha deputeti socialist.

Sipas tij, Sali Berisha është përgjegjësi politik e moral për këtë katastrofë, por i takon atij vetë që me zë të lartë, jo vetëm të pranojë përgjegjësinë dhe shlyejë financiarisht humbjen e çdo familjeje, por edhe të kërkojë hapjen e një hetimi serioz për nxjerrjen para ligjit dhe dënimin e fajtorëve.

Rama pret Haradinajn

Kryetari i PS-së, Edi Rama, priti në një takim të veçantë kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës disaditore që ai po zhvillon në Tiranë. Gjatë takimit u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me proceset integruese të Shqipërisë dhe të Kosovës. Zoti Rama u interesua rreth ecurisë së proceseve demokratizuese në Kosovë, duke e vënë theksin tek zhvillimi ekonomik e social, thithja e investimeve, duke sugjeruar një angazhim më të madh për të përfituar nga momenti pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Z. Rama shprehu angazhimin e PSSH-së dhe të tijin personalisht për të vazhduar lobimin për njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Z. Haradinaj falënderoi z. Edi Rama për kontributin që PSSH-ja ka dhënë në proceset që çuan drejt pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ai shpalosi disa nga angazhimet e forcës politike, si një opozitë konstruktive në Kosovë për të inkurajuar qeverinë aktuale për të përmbushur objektivat që ajo ka në fazën e ngritjes së shtetit të ri demokratik. Në këtë takim merrnin pjesë anëtarë të delegacionit që shoqëron zotin Haradinaj dhe sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PSSH, Arta Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›