E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, Berisha: Jo projektit për ndarjen

Berisha tha se është në detyrimin e qeverisë së Kosovës që të japë garanci për liritë e minoriteteve

TIRANË- Qeveria shqiptare është kundër çdo projekti për ndarje në veri të Kosovës. Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se, “ne besojmë se çdo projekt që krijon përshtypjen për një ndarje në veri, përbën një rrezikshmëri të madhe për paqen dhe stabilitetin”. Berisha theksoi se shteti shqiptar mbështet vendosjen e plotë dhe të shpejtë të EULEX-it në Kosovë, si një moment shumë të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe integrimin.

“Qeveria shqiptare po i ndjek me shumë vëmendje këto zhvillime dhe konstaton se janë paraqitur dy projekte, një projekt me 6 pika dhe projekti i qeverisë së Kosovës me 4 pika. Ne besojmë se çdo projekt që krijon përshtypjen për një ndarje në veri, përbën një rrezikshmëri të madhe për paqen dhe stabilitetin. Së dyti, qeveria shqiptare mendon dhe beson se është në detyrimin absolut të saj, të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë qeverive të tjera, të japë garanci të madhe për liritë e minoriteteve. Në këtë kontekst, autoritetet e Kosovës janë shprehur qartë se kanë të gjithë përkushtimin, por edhe autoritetet ndërkombëtare kanë të drejtë të mbikëqyrin rreptësisht garantimin e lirive dhe të drejtave të serbeve në Kosovë”,- tha dje Berisha pas takimit. Kryeministri shtoi se mbrojtja e pakicave duhet të garantohet përmes autoriteteve legjitime të Kosovës. “Ndaj, dhe një lloj problemi i krijimit të një pushteti të posaçëm për pakicën, të çon ndërmend një ide shume joproduktive, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, idenë e një super pakice. Tani, këtu në Ballkan, jemi të mbushur me pakica dhe jemi krenarë. Ato janë një pasuri e gjithanshme, por ideja për super pakicë është një ide jashtëzakonisht kundër produktive dhe që nuk i shërben as pakicës. Qeveria e Beogradit duhet të heqë dorë, në interesin më të mirë të serbëve në Kosovë, nga pretendime, të cilat janë jorealiste”,- tha ai. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se e kishte informuar kryeministrin shqiptar mbi të gjithë situatën politike në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›