E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi, viti 2009, me listë të re barnash

Sipas projektbuxhetit të ISKSH-së, lista e re do të zgjerohet me 200 milionë lekë më shumë.

Financat: Niveli i kontributeve shëndetësore do të rritet me 22. 35 % më shumë se vitin e kaluar. ISKSH-ja: Janë vetëm parashikime

Lista e barnave të rimbursueshme pritet të zgjerohet në vitin 2009. Rreth 200 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar do të ketë në buxhetin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Kështu, të ardhurat për këtë institut janë vendosur nga Ministria e Financave, ku kanë bërë edhe detajimet e projektbuxhetit. Ndërkohë, burime zyrtare pranë ISKSH-së, pohojnë për gazetën se barna të reja do t’i shtohen listës së barnave të rimbursueshme, po ende nuk janë vendosur saktësisht këto medikamente, pasi kjo diskutohet me anë të një bordi. Ndërkohë, Ministria e Financave parashikon që të rritet niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore.

Rimbursimi

Shpenzimet për rimbursimin pritet të jenë më të mëdha, duke zënë edhe vendin kryesor në fondin e ISKSH-së. Sigurisht që barna të reja do t’i shtohen listës së rimbursueshme dhe, kryesisht, për sëmundjet më të përhapura. Por, saktësisht, për barnat vendoset duke u konsultuar me shefat e shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe aktorë tjerë, të cilët vendosin për këto barna”,- shpjegojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Kështu, sipas projektbuxhetit të vitit 2009, shpenzimet e rimbursimit të barnave parashikohen të arrijnë në rreth 4 510 milionë lekë. “Me këtë shifër, shpenzimet e përllogaritura të rimbursimit për 2009-n, përbëjnë rreth 36.64 % të totalit të shpenzimeve të ISKSH-së për vitin 2009”, - bëhet e ditur në projektbuxhet, duke u shtuar se, në këtë përllogaritje, janë marrë parasysh efekti i ndryshimit të çmimeve për vitin 2009, rreth 200 milionë lekë, efekti financiar nga zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme, rreth 900 milionë lekë, si dhe faktorë të tjerë, të cilët duhet të merren në konsideratë në planifikimin e shpenzimeve të rimbursimit. Ndërsa, sa i takon rimbursimit të shpenzimeve unikale terciare, gjatë 2009-s, është parashikuar në shifrat 140 milionë lekë.

Sigurimet

Ministria e Financave parashikon që niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore do të rritet. Madje, këto parashikime arrijnë deri aty sa deklarohet se këto kontribute do të rriten me 22.35% më shumë nga viti 2008. Megjithatë, nga ana tjetër, specialistët e ISKSH-së, shpjegojnë se këto mbeten vetëm parashikime. “Për vitin 2009, pritet që niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore të arrijë në 6 329 milionë lekë, ose 22.35 % më shumë nga plani 2008. Kjo rritje mbështetet në rritjen e numrit të kontribuesve, si dhe në rritjen e pagës, mbi të cilën do të paguhen këto kontribute”,- bëhet e ditur nga burime zyrtare, duke u shtuar se kontributet nga sigurimet shëndetësore zënë 51.41 % të totalit të të ardhurave nga ISKSH-ja. Ndërkohë, shpjegohet se kontributi i sigurimeve shëndetësore mblidhet nga organet tatimore për të gjithë subjektet tatimpaguese me TVSH, si dhe biznesin e vogël.

Shifrat51.41 % të totalit të të ardhurave nga ISKSH-ja zënë kontributet nga sigurimet shëndetësore.

50.77 % të totalit të shpenzimeve të ISKSH-së, zënë shpenzimet për financimin e kujdesit shëndetësor parësor.

22.35 % më shumë nga plani 2008 parashikohet të jetë niveli i kontributeve të sigurimeve shëndetësore.

10.3 % më shumë se programimi i vitit 2008 parashikohet të jetë buxheti i ISKSH-së, i vendosur nga Ministria e Financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›