E Diel, 1 Nëntor 2026

Frymëzimi i Saimir Tahirit për kufijtë detarë është ekstraterritorial

29-08-2012 / Frymëzimi i Saimir Tahirit për kufijtë detarë ësht

Saimir Tahiri po shfaqet si skifteri i çështjes së bllokimit të negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë. Por Saimir Tahiri është në fakt shërbëtor i dy zotërinjve, i Edi Ramës, të cilit i pranon të shqiptojë edhe fraza që s’thuhen, si edhe i një padroni të dytë. Padroni i dytë (ai ndërkombëtar) punon shumë për mosbitisjen e një marrëveshjeje fqinjësore të dy vendeve anëtare të NATO-s, prandaj edhe frymëzimi i këtyre ditëve i Saimir Tahirit është puro ekstraterritorial

Letra e një dite më parë e Edi Ramës në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste adresuar Presidentit Bujar Nishani, duket se nuk ngjiti. Nuk ngjiti me sa duket sepse asnjëherë nuk kanë ngjitur, as letra të tilla të ngjashme, as letra të hapura dhe as editorialet e Edi Ramës. Dhe si për të na mbushur mendjen se letra e një dite më parë e Edi Ramës në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të adresuar Presidentit Bujar Nishani, nuk ishte “me orientim nga poshtë dhe me propozim nga lart”, dje u gjet një deputet i PS-së, Saimir Tahiri, për të folur sipas porosive të Edi Ramës me SMS edhe në emër Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Çudia e parë qëndron në faktin se edhe Edi Rama edhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, shfaqin pa durim dhe pa pritur përgjigjen e letrës adresuar Presidentit, hidhen në propozime të tjera sipas të cilave “duhet të jetë një marrëveshje (ajo për kufirin), që duhet të ketë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e Parlamentit, pjesëmarrjen e shoqërisë civile, e ekspertizës së pavarur dhe pse jo të të gjithë atyre që kanë mundësi të japin një kontribut për këtë marrëveshje”.
Me mbajtjen ndezur të flakës së sajimit të negociatave për kufirin detar me Greqinë, Edi Rama, Saimir Tahiri por edhe e gjithë PS-ja, deputetë apo jo të saj, po e ulin nivelin e debatit (të sajuar) me veten, në kufijtë e një debate të mundshëm për ndarjen administrative-territoriale të njësive vendore. Sepse, sipas Nenit 108 të Kushtetutës, vetëm aty parashikohet se “kufijtë e tyre (njësive të qeverisjes vendore) nuk mund të ndryshohen pa u marrë me parë mendimi i popullsisë që banon në to”.
Ndaj edhe Edi Rama, herë tjetër, nëpërmjet Saimir Tahirit, kur të bëhet fjalë për diskutim kufijsh për njësi të qeverisjes vendore, p. sh.:, të themi të Komunës së Pezës, mund të kërkojë që “të ketë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e shoqërisë civile, e ekspertizës së pavarur dhe pse jo të të gjithë atyre që kanë mundësi të japin një kontribut për këtë marrëveshje”.
Por, më tepër se të impenjuar për zgjidhjen e çështjes së sajuar të kufirit detar me Greqinë, Edi Rama, Saimir Tahiri por edhe e gjithë PS-ja, deputetë apo jo të saj, janë të interesuar për bllokimin e saj.
Nga njëra anë, bllokimi i kësaj marrëveshje, ka të bëjë me ngritjen e një pluhuri dyshimesh të marrëdhënieve “të ndera” Shqipëri-Greqi, që nuk do ti mundësojnë vendit tonë një anëtarësim në BE, nga ana tjetër Edi Rama diku ka “gëlltitur një lugë çorbë të prishur” (të njëjtë me atë që gëlltiti për zhurmën me lotarinë kombëtare), por për çudi ka nxjerrë Saimir Tahirin të vjellë.
Dhe zari i Edi Ramës, Saimir Tahiri po shfaqet si skifteri i çështjes së bllokimit të negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë. Nga pozitat e shërbëtorit të dy padronëve, Saimir Tahiri lejon keqpërdorimin dyfish të vetes, nga njëra anë duke pranuar të shqiptojë edhe fraza që s’thuhen, për llogari të padronit të parë, Edi Rama dhe nga na tjetër, duke u keqpërdorur edhe nga një padron i dytë. Pikërisht padroni i dytë (ai ndërkombëtar) punon shumë për mosbitisjen e një marrëveshjeje fqinjësore të dy vendeve anëtare të NATO-s, prandaj edhe frymëzimi i këtyre ditëve i Saimir Tahirit është puro ekstraterritorial, duke bërë zgjedhjen e vetë “të vjellë çorbën e prishur të gëlltitur” nga Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›