Berisha: Procesi i kandidimit dhe i integrimit të Shqipërisë në BE, i garantuar

Kryeministri i vendit Sali Berisha e cilëson të sigurt dhe të mbrojtur procesin e kandidimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE, duke garantuar se dyert e Brukselit do të hapen.
Duke iu referuar deklaratave të ministrit të Jashtëm italian Franco Frattini, i cili kritikon qëndrimin e disa zyrtarëve të Brukselit se po mbajnë peng procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Berisha u shpreh se e ardhmja e vendit është e garantuar në familjen e madhe evropiane dhe se kjo po faktohet edhe nga mbështetja e miqve të shquar të Shqipërisë. “Unë jam këtu për pikëpamjet e mia dhe jo të mikut tonë të shquar Frattini. Ne kemi paraqitur kërkesën. Ne kemi pasur një proces shumë të rëndësishme që janë zgjedhjet dhe kjo është normale. Unë kam shumë besim se procesi i kandidimit dhe integrimit të Shqipërisë është një proces i garantuar. Nuk mund të flas shumë për kohën, pasi e kam thënë edhe njëherë se Brukseli është një portë me 27 çelësa. Imagjinoni 27 çelësa për t’u hapur, por parimi është se ato do të hapen”, u shpreh Berisha.
Dy ditë më parë shefi i diplomacisë italiane Franco Frattini deklaroi se Shqipëria nuk mund të presë. Sipas tij, brenda periudhës së verës, duhet të aprovohet kërkesa e Shqipërisë në BE, kërkesa e saj nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. Frattini ka nënvizuar se kërkesa e bërë nga qeveria shqiptare nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel.
...