Sali Berisha merr urimet më të përzemërta nga drejtues të shtetit e të partive politikë në Kosovë
Kryeministri zhvillon takime me përfaqësues të lartë të klasës politike kosovare
Kryeministri Sali Berisha prit dje në takime të veçanta përfaqësues të klasës politike të Kosovës, prej të cilëve mori urimet më të përzemërta për suksesin e arritur në zgjedhje nga Partia Demokratike dhe personalisht nga vetë lideri Berisha.
Në këtë drejtim, kreu i qeverisë Berisha, mirëpriti në një takim kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj. Pasi e falënderoi për mikpritjen, Haradinaj i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, si dhe e përgëzoi atë për frymën dhe standardet që karakterizuan këto zgjedhjet, një zhvillim ky shumë i rëndësishëm për vendin. Shefi i ekzekutivit Berisha, e falënderoi Haradinajn për urimin dhe vlerësimet që ai dha lidhur me rëndësinë e fitores së Partisë Demokratike në këto zgjedhje, si dhe për formimin e koalicionit të ri qeverisës.
Gjatë takimit, Berisha e njohu Haradinaj me tematikën kryesore të programit të qeverisjes së ardhshme drejt Shqipërisë evropiane. Në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe mbi zhvillimet në të dyja vendet, si dhe për rrugët e zgjerimit dhe të intensifikimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, kryeministri Berisha priti në një takim të përzemërt Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës Ramë Manaj dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazinë e gjinore, Personat e pagjetur dhe Peticionit Ismet Beqiri, që të dy përfaqësues të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përfaqësuesit e lartë të LDK-së e falënderuan kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe i shprehën urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ata i përcollën kryeministrit Berisha edhe urimet më të përzemërta të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Më tej, ata u shprehën se kjo fitore e Kryeministrit Berisha dhe e Partisë Demokratike është një garanci për ecjen e mëtejshme të Shqipërisë drejt zhvillimit dhe integrimit Evropian, si dhe për rolin e kontributin e Shqipërisë në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e lartë të LDK-së për urimet, si dhe i përcolli përshëndetjet e tij për Presidentin Sejdiu. Kryeministri u shpreh se këto zgjedhje parlamentar kanë pasur disa dimensione pozitive. Kështu shqiptarët janë më të lirë se kurrë, zgjedhjet u zhvilluan me infrastrukturën zgjedhore më moderne të kohës, si dhe ky proces ka vlerë sepse do t’i japë vazhdimësi projektit të ndryshimit të Shqipërisë.
Gjatë bisedës u diskutua për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fusha të ndryshme, si dhe për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Kryeministri Berisha u shpreh se lidhur me bashkëpunimin ekonomik qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet ta shohin si shumë të rëndësishëm qëndrimin në vlera të aseteve të fjetura dhe të pasurive mjaft të mëdha natyrore dhe njerëzore që kanë të dyja vendet.
...