E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2009, viti i investimeve më të mëdha në historinë e vendit

Kryeministri Sali Berisha e konsideron këtë vit, si vitin që do të hyjë në historinë e vendit, për investimet galoponte, ndërkohë që një pjesë e të cilave kanë filluar tashmë dhe të tjera pritet të nisin ditët në vijim. Duke iu referuar akuzave mediatike të përfaqësuesve të Partisë Socialiste se janë anuluar të gjitha planifikimet për tenderët, si pasojë e mungesës së fondeve, kreu i qeverisë Berisha u shpreh se çdo vit pa përjashtim në muajin shtator apo tetor janë ndërprerë tenderimet jo për mungesë fondesh, por për të shmangur tenderimet vjeshtuke të cilat janë si puna e vjeshtukëve. Pavarësisht faktit se Shqipëria kaloi një vit elektoral, Berisha garantoi se ajo do të njohë investimet më të mëdha në historinë e saj. Sipas kreut të qeverisë, tre mujori tjetër do të jetë shumë herë më i mirë se ky që lamë pas, i cili shënoi një rritje ekonomike në masën 6 për qind. Berisha bëri të ditur se tre mujori i dytë është kohë e artë për bujqësinë, ndërtimin dhe importin e energjisë, sektorë strategjikë që garantojnë rritjen ekonomike. Një tjetër arsye për ndërprerjen e tenderimeve për këtë periudhë, Berisha renditi formatimin e qeverisë së re në muajin shtator që përkon me periudhën e vjeshtës. “Nuk ka asnjë arsye që autoritet kontraktuese duke pasur disponibël fondet që në muajin janar, ti shtyjnë ato për vjeshtë. Arsyet janë tërësisht burokratike. Mbi këtë praktikë ne çdo vit kemi ndaluar prokurimet në muajin shtator apo në muajin tetor sipas rastit. Siç e dini në muajin shtator një qeveri tjetër nis nga puna. Unë nuk mund të them se kjo qeveri që vjen sapo të instalohet ka të gjitha kapacitet për të ushtruar të gjitha prerogativat e saj sepse një ministër apo zëvendësministër në fillim të detyrës së tij do të konsolidojë administratën, para se të merret me këto çështje. Pra, kjo ka të bëjë thjesht me ndryshimin e qeverisë”, tha Berisha. Në këtë drejtim, shefi i ekzekutivit bëri me dije se ky do të jetë viti i investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi, duke investuar më shumë se 10% të prodhimit të brendshëm. “Unë mund t’ju garantoj ju se ky është viti i investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi. Vitin e kaluar janë investuar 10 për qind të prodhimit të brendshëm. Nuk di asnjë qeveri në botë që të ketë këtë përqindje investimi. Vjet e kam shqyrtuar këtë problem dhe më rezultonte se vendi i dytë që vinte pas kësaj ishte me vlerë 5,5 për qind  të prodhimit të brendshëm. Sivjet sërish jemi me shifrën e 10 për qind të prodhimit të brendshëm për investime. Pra kemi nivelin më të lartë. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem likuiditetesh. Në rast se do të dini të vërtetën i kemi pak me tepricë dhe ndofta do të lindë nevoja të kthejmë një pjesë”, nënvizoi kryeministri Berisha.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›