Buxheti suplementar, pas negociatave me FMN-në
Kryeministri Berisha shpjegon arsyet e mos hartimit të buxhetit suplementar për këtë verë
Që nga formimi i qeverisë së re demokratike, në shtator 2005, qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha hartonte dhe miratonte gjatë muajve të verës në Kuvend një buxhet suplementar. Ndërsa për këtë vit, kur rritja ekonomike e Shqipërisë mendohet se do të shkojë sërish në vlerat e 6 përqindëshit dhe duke iu referuar negociatave me Fondit Monetar Ndërkombëtarë, të cilët kanë këshilluar se Shqipëria ka një ekonomi në rritje të vazhdueshme dhe drejt konsolidimit të plotë, vendosi të mos prezantojë në kuvend buxhetin suplementar.
Duke iu referuar kësaj çështjeje, gjatë konferencës për shtyp, lidhur me masat e marra ndaj situatës së krijuar nga rastet e para të pandemisë së virusit A (H1N1), kryeministri Berisha tha se kjo ka ardhur si rezultat i negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Për sa i përket buxhetit suplementar, ju e dini ka qenë një buxhet që diktohej nga negociatat që zhvillonim në kuadrin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Buxheti suplementar në të vërtetë ka përfaqësuar operativitetin e dy modeleve. Njëri model ishte modeli i fillimit të vitit, i cili thoshte se Shqipëria do të ketë këtë deficit buxhetor, do të ketë këtë nivel të ardhurash, pra, do të ketë këtë buxhet. Ne e pranonim këtë, e tejkalonim këtë dhe në qershor bëhej operativ modeli i dytë, i cili faktonte se Shqipëria ka këto të ardhura dhe për rrjedhojë ka këtë buxhet, e si rrjedhojë do të ketë këto shpenzime”, tha kryeministri, duke shtuar se këtë vit marrëveshja u kalua në artikullin 4 të bashkëpunimit me FMN dhe është operativ modeli i fillim vitit i qeverisë. Kryeministri cilësoi si shumë pozitiv faktin se rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte 6 për qind, ndërsa theksoi Berisha, për sa i përket tremujorit të dytë, mund t’u them me përgjegjësi të plotë se është qartësisht më i mirë. “Kjo për arsyen se në tremujorin e dytë janë disa faktorë që dallojnë në mënyrë të ndjeshme nga i pari dhe ju mund të bëni kontrollin e tyre. Së pari, prodhimi dhe eksporti i energjisë ka qenë më i madh se në çdo tremujor tjetër, propabilisht të shumë e shumë viteve të shqyrtuara. Janë eksportuar qindra milion kilovat orë, janë prodhuar nga 21 deri në 24 milion KW/h në ditë. Tremujori i dytë është qartësisht më i mirë se i pari, sepse, nëse ju kontrolloni investimet në ndërtim, mund të jenë edhe dyfishi i investimeve të bëra në tremujorin e parë, për shkak të dimrit të egër që ishte tremujorin e parë, i cili ngadalësoi faktikisht në mënyrë të qartë investimet dhe ndërtimtarinë në përgjithësi. Ky tremujor është qartësisht më i mirë se i pari, edhe për faktin se kjo ka qenë koha e artë për bujqësinë shqiptare. Rrethanat klimaterike e shndërruan Shqipërinë në një vend pothuaj tropikal. Pra, janë këto tre faktorë të rëndësishëm të rritjes. Bujqësia ka peshën e vet deri në 22 për qind në prodhimin e brendshëm, ndërtimi është edhe ai një faktor shumë i rëndësishëm. Sektori publik në prodhimin e brendshëm është rreth 20 për qind në GDP. Ekonomia shqiptare nuk mund të bëjë të sëmurin imagjinar. Përse doni që kjo ekonomi të bëjë të sëmurin imagjinar. Kjo ekonomi është me rritje 6 për qind dhe ju garantoj që edhe tremujori i tretë do të jetë i tillë, nuk mund të parashikoj për të katërtin dhe si rregull nuk merrem me parashikime, por ua lë të tjerëve, por edhe tremujori i tretë ka një fluks turistik të paparë. Ju jeni dëshmitarë”, u shpreh kryeministri.
Për sa i takon rrugës Durrës-Kukës dhe përparësitë thelbësore që i ka dhënë ajo turizmit, Sali Berisha tha se disa media deklaronin se bëhej për qëllime elektorale, por, shtoi kryeministri, unë kisha qëllime ekonomike dhe turistike. “Në debatin që kam pasur me kompaninë unë ju kam kërkuar atyre përfundimin sa më të shpejtë dhe data e inaugurimit ishte e caktuar nga kompania, por nuk mund të pranoja të humbisja sezonin, pasi kjo krijonte një humbje të madhe për ne. Dhe fakt është që në javët e para kanë kaluar për në Shqipëri rreth 12 mijë automjete, si dhe qindra automjete që shkojnë në Kosovë. Edhe nga Saranda është po kështu. Pra, këto janë efekte pozitive. Megjithatë ne rrimë shumë të vëmendshëm. Kjo ekonomi nuk mund të bëjë të sëmurin imagjinar”, deklaroi më tej kreu i qeverisë Sali Berisha.
...