E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për A (H1N1): Mbërriti, por nuk ka vend për panik

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se qeveria është e përgatitur me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses të plotë një përhapje të mundshme të gripit të derrave në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp mesditën e sotme, Kryeministri Berisha tha se "ne jemi absolutisht dhe tërësisht të përgatitur, me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses të plotë, qoftë me shtretër, qoftë me specialistë një përhapje të mundshme të gripit të derrave.  Ne po përfundojmë laboratorin për të identifikuar virusin e gripit të derrit. Po ashtu, kemi dhe dozat e nevojshme për ta luftuar atë. Jemi plotësisht të përgatitur dhe nuk ka asnjë arësye serioze e të veçantë për ta dramatizuar situatën. Është një formë shumë larg agresivitetit të formave të viruseve të viteve të shkuara", tha Kryeministri.  Kreu i Qeverisë siguroi se sapo vaksina të bëhet disponibël, dhe shpresohet që shtatori të jetë muaji që dozat e saj të komercializohen, "ne do të blejmë të gjithë sasinë e nevojshme për të vaksinuar grupet dhe popullatën për të cilat rekomandohet vaksina".  Virusi i derrit, që fillimisht u shfaq në Meksikë, regjistroi pak ditë më parë rastin e parë zyrtar në Shqipëri, ku mbartës rezultoi një student nga Gjirokastra. Autoritetet shëndetsore në vend kanë rritur vigjilencën në institucionet spitalore dhe në pikat e kalimit kufitar për të parandaluar rastet e mundshme.


Deklarata e plotë


Jam sot këtu për një çështje e cila ka të bëjë me pandeminë e gripit të derrave, një pandemi e deklaruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka arritur edhe në Shqipëri. Të gjitha të dhënat epidemiologjike që kanë të bëjnë me përhapjen, faktojnë se përhapja e këtij gripi është forma më e shpejtë se e të gjitha formave të tjera pararendëse. Por, faktojnë gjithashtu se shumica dërrmuese e rasteve janë forma të zbutura, janë jo agresive, ndonëse në raste të veçanta nuk përjashtohen edhe rastet me një agresivitet më të madh. Në disa laboratorë po bëhen përpjeke të mëdha për prodhimin e vaksinës. Provat e para të saj janë bërë ditë më parë në Australi. Por për përdorim masiv, besohet se do të jenë të gatshme në shtator.


Qeveria e ka ndjekur me një intensitet dhe me një vëmendje të veçantë problemin e epidemisë së gripit te derrit. Ajo disponon mijëra e mijëra doza tamiflu, ilaçe që presupozojnë të kenë efekte pozitive mbi virusin dhe natyrisht qeveria është e gatshme të importojë të gjithë sasinë e nevojshme me stabilizues që do të duhen për të kuruar të sëmurët me këtë formë gripi.


Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron së fundi se është e panevojshme të merremi me statistikat e përhapjes. Duket se ky konkluzion del për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të këtij gripi. Ajo sugjeron përqendrimin kryesor në vizitat dhe trajtimin e rasteve. Kjo nuk do të thotë që individët duhe të përpiqen t’u shmangen grumbullimeve të mëdha, por e vërteta është se kjo është sëmundja e grumbullimeve. Nuk është në shkolla, por është në plazhet, në qendrat e ushqimit, etj.


Sidoqoftë, mendoj se nuk ka as edhe një arsye serioze, të veçantë, për ndonjë lloj dramatizimi. Është një formë gripi shumë larg agresivitetetit të formave siç ishte sarsi, apo siç ishin disa forma të viteve të shkuara. Sapo vaksina të bëhet disponibël dhe shpresoj që shtatori të jetë muaji që dozat e saj të kormecializohen, ne do të blejmë të gjithë sasinë e nevojshme për të vaksinuar grupet dhe popullatën për të cilat rekomandohet vaksina.


Ky ishte qëllimi im i daljes para jush. Dua të përgëzoj të gjitha autoritetet zyrtare, të cilët e kanë ndjekur që në shfaqjet e para të rasteve të gripit të derrave në vende të tjera, deri në ardhjen e tij në Shqipëri. Flitet se janë katër raste, por për  shkak të formave të lehta të tij, mund të jenë edhe shumë më tepër. Por duket se këtë pandemi, e zbuten faktorë të ndryshëm gjatë rrugës së saj dhe nuk ruajti virulencën e fillimit dhe do të shkojë drejt valës së saj. Unë do të pranoja sot pyetje në këtë konferencë por vetëm rreth cështjes së gripit të derrave, pasi kjo është një temë e vecantë që ju e keni trajtuar gjerësizsht në mediat tuaja, që në rastet e para  që u shfaqën, me origjinë nga Meksika dhe deri tek rastet e studentit, i marinarëve filipinas, apo dhe i rasteve të tjera që eventualisht janë shfaqur në Shqipëri".


Pyetje: Zoti Kryeministër, po i rikthehem edhe një herë çështjes për të cilën dolët në konferencë shtypi. Ka shifra që, në fakt raportohen të jenë të frikshme, të përhapjes së këtij virusi tek fqinji ynë Greqia, është thënë, të paktën mediatikisht, se janë tek 3 milion të prekur. Shqipëria është e përgatitur realisht për  shkallën e përhapjes, ndoshta jo në këto shifra, nga pikëpamja e infrastrukturës të mund të mbulojë të gjithë pacientet e mundshëm që mund të shtrohen në spital?


Kryeministri Berisha: Absolutisht tërësisht e përgatitur, me të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar me sukses të plotë, qoftë në shtretër, qoftë në specialistë, qoftë me tamiflu apo vaksina, po përfundon laboratori për të identifikuar shtamin, specifikën e virusit. Jemi plotësisht të përgatitur. Nuk ka asgjë për t’u dramatizuar. Ne kemi kapacitete ekzistuese, mund të përshtatim me shpejtësi kapacitete shumë herë më të mëdha sesa ato ekzistuese, pasi e vërteta është se ato ekzistojnë, kemi personelin mjekësor të kualifikuar. Është e vërtetë se përhapshmëria e virusit është më e shpejta se e të gjitha formave të njohura deri më sot, por jo agresiviteti, jo virulenca.







...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›