Berisha: Programi i Edi Ramës rrënon fermat. Topalli: Rama gaztor i “Rilindjes”
Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë në Malësinë e Madhe, inauguron edhe rrugën Shkodër-Hani i Hotit. Kryeministri: Do heqim vizat me SHBA-të
Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot në Vaun e Dejës, kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Shkodrës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha sulmoi sërish programin e PS-së ndërsa duke iu referuar premtimeve të kryesocialistit Rama se do të heqë TVSH-për 5 ushqimet bazë, theksoi se kjo platformë e PS-së do të shkatërrojë fermerët. “Platforma që paraqet shoku i autobusit për fermerët shqiptarë është një kob i vërtetë për fermat e tyre. Ai premton që lumenjtë e djersës që keni derdhur, fermat t’jua falimentojë duke hequr taksën për vezën, qumështin, bukën. Kjo do të thotë se vezët në Shqiëpri nuk kanë pse të shiten, sepse do të vijnë gjemitë me vezë nga vende të tjera që i prodhojnë me kosto më të ulët dhe mund t’i sheshin me po ato çmime. Premtimi ynë është ky, mbrojtja juaj. Ne do tu mbrojmë ju dhe jo të cënojmë mundin dhe djersën e familjeve që jetojnë në fshat”- tha Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha gjithashtu u bëri apel banorëve të Vaut të Dejës të votojnë Partinë Demokratike për t’i dhënë të djathtëve mandatin e tetë në qarkun e Shkodrës.
“Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe mbarë Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, mandatin e artë, mandatin e fitores tonë të thellë dhe të merituar. Ju këto vite firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Patë se si ndryshoi Shqipëria. Rruga jonë nuk ka qenë bulevard dhe ende nuk do të jetë bulevard, por është një rrugë që çon drejt një ngjitje të sigurt, na çon drejt integrimit në BE, drejt mirëqënies, punësimit dhe zhvillimit. Ju ftoj që në 23 qershor të votojmë të gjithë së bashku 44, Partinë Demokratike. Të votojmë për integrimin tonë në Europë, të votojmë për punësimin e qytetarëve. Të votojmë për zhvllimin e Vaut të Dejës dhe Shkodrës së zhvilluar, të votojmë 44 për të ardhmen që ju meritoni”- tha kryeministri Berisha.
Malësi e Madhe
Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot përfundimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një investim me vlerë 34.2 milionë euro. Kryeministri e konsideroi këtë segment të një rëndësie rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, por edhe si rruga e komunikimit me Malin e Zi dhe vendet e tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë etj.. Rruga Shkodër-Hani i Hotit me gjatë 39 kilometra ndikon në fuqizimin e korridorit veri-jug që nis në kufirin me Malin e Zi në veri dhe shkon drejt Greqisë në jug dhe Maqedonisë në lindje. Ky aks kalon nëpërmjet qytetit të Shkodrës, duke përmirësuar trafikun, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, parkime, trotuare e pistë për biçikletat. Të lidhur me të janë realizuar dy bypass-e, ai i Koplikut dhe i Bajzës, duke mare parasysh trafikun nga Mali i Zi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Njëkohësisht është rehabilituar pjesa urbane me gjithë infrastrukturën e qytetit Koplik dhe Bajzë, duke i lidhur ato me dy bypass-et. Rruga në fundin e saj përshkon anash liqenin e Shkodrës. Ndërsa e vlerësoi ndërtimin e saj në parametrat dhe cilësinë më të lartë, Kryeministri u shpreh se ndërtimi i një rrjeti modern rrugor ka qenë një nga zhvillimet madhore që vendi ka arritur në vitet e fundit. “Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe”.
Gjatë viteve 2005-2013, në qarkun e Shkodrës janë kryer investime me vlerë 670 milionë dollarë. Në infrastrukturën rrugore janë ndërtuar mbi 930 kilometra rrugë, kombëtare, rajonale dhe lokale, me vlerë mbi 200 milionë dollarë; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte , me vlerë rreth 15 milionë dollarë; 104 sisteme ujësjellës e kanalizimesh, me vlerë rreth 35 milionë dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca me vlerë rreth 15 milionë dollarë. Në bujqësi janë investuar mbi 35 milionë dollar, në kanale kullues, diga mbrojtëse ë sistemim tokash, si dhe janë subvencionuar 7 milionë dollarë ose 32 herë më shumë se Partia Socialiste. Gjithashtu, janë restauruar mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer kështu në identitet rrugët dhe monumentet e mirënjohura të Shkodrës. Në fushën e energjetikës janë investuar 330 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet nënstacioni i Koplikut, Vaut të Dejës, Bushati, si dhe hidrocentrali i Ashtës, janë ndërtim 25 hidrocentrale, me fuqi 240 megavat dhe investim rreth 130 milionë dollarë. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e numrit të bizneseve të reja mbi dy herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8850 në vitin 2012.
Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria do realizojë reformat për liberalizimin e vizave me SHBA. “Këto vite, sëbashku ia dolëm të bëhemi anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të sigurojmë përgjithmonë lirinë tonë kombëtare, ia dolëm të firmosim me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Europën, ia dolëm të heqim vizat e të lëvizim pa viza në mbarë Europën, ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat, ia dolëm të bëjmë reale ëndrrat shekullore të rilindësve tanë, të shqiptarëve të mençur, të vokacionit tonë perëndimor. Katër vitet ardhshme, qëllimi ynë më madhor është së pari, të marrim statusin e vendit kandidat, të hapim negociatat me Bashkimin Europian, të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
“Një njeri punon kundër vendit të tij. Ai quhet Edvin Rama. Ai është një njeri që nuk fiton kurrë, ai qahet rrugëve të Shqipërisë dhe shan e mallkon rrugët dhe bën me faj Sali Berishën pse nxorri vendin nga balta. Më qesharak burri 50 vjeç nuk bëhet. Ndonjëherë më vjen keq sesi flet ashtu. Gastori i Rilindjes, Edi komiku thotë se nuk ju duhen rrugë, shkolla, NATO, dhe bërtet kot Rilindje”- deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryesuesja e listës së kandidatëve të PD në Shkodër, tha se Rama rrënoi kryeqytetin me taksa dhe të njëjtën gjë do të bëjë dhe me Shqipërinë. “Po të kishte 2 gradë dashuri do kishin dalë e tepruar ta bënte Tiranën si Tokio, por për 11 vjet rresht, rriti taksat dhe e renditi Tiranën si qytetin me taksat më të larta në Shqipëri”.