E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Prokuroria fle mbi dosjet e ish-sistemit kleptokrat



Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Prokurorinë e Përgjithshme për bllokimin që u ka bërë dosjeve korruptive të ish-pushtetarëve të majtë. Berisha e cilësoi të turpshme mënyrën e bllokimit nga ana e organit të akuzës, duke mos zbardhur asnjë prej dosjeve të sistemit të kleptokracisë. Ai përmendi se ndryshe nga prokuroria, qeveria e djathtë ka penalizuar zyrtarët e korruptuar të administratës shtetërore, duke minimizuar në masë korrupsionin në vend. Këto deklarata kreu i qeverisë i bëri dje gjatë vizitës që zhvilloi në Fier dhe Lushnje nga ku përuroi disa vepra publike, por duke u pyetur nga media për ligjin e dosjeve dhe raportin e DASH-it. "Sigurisht po flihet mbi dosjet e sistemit të kleptokracisë dhe kjo është një gjë shumë e keqe, por për herë të parë në historinë e këtij vendi po penalizohen zyrtarët e korruptuar të kësaj administrate dhe kjo është një gjë shumë e mirë", - theksoi z. Berisha. Gjatë përurimit të dy veprave infrastrukturore në qytetin e Fierit, Kryeministri shpjegoi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, lidhur me ndërhyrjet e qeverisë në prokurori dhe gjyqësor. Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, për mashtrimin që bëri me këtë raport, duke tentuar zbehjen e vlerësimeve që DASH-i i bën qeverisjes së djathtë. "Mediat thonë që ka ndërhyrje. Lexojeni raportin ashtu siç është. Media e kontrolluar nga Edi Rama thotë që është ndërhyrë dhe ju e kuptoni vetë se çfarë terrori ushtron ai mbi mediat", - u shpreh Kryeministri. Por e vërteta, sipas Berishës: “Qëndron në faktin se kjo shënon periudhën e parë në historinë e këtij vendi që po penalizohen zyrtarë të korruptuar”. Në këtë mënyrë Kryeministri mohoi trillimet e opozitës sipas së cilës DASH-i ka kritikuar në raportin e tij qeverinë. Madje z. Berisha sugjeroi që raporti të lexohet siç duhet dhe jo siç e lexon Rama dhe pas tij “mediat që ai drejton”. Berisha akuzoi kundërshtarin e tij politik si dhunues të medias. Kundrejt kësaj, Kryeministri u ndal tek arritjet e qeverisë dhe realizimi i të gjitha premtimeve të bëra. Berisha vuri në dukje: “Ne po investojmë kudo dhe po ecim në këtë mënyrë drejt një mandati të dytë, me hyrje moderne nëpër qytete, me Shqipërinë anëtare të NATO-s, të sigurt në realizimin e të gjithave premtimeve të dhëna, dyfishimin e pagave të mësuesve, dyfishimin e pensioneve në zonat rurale, dyfishimin e pagave të infermiereve dhe mjekëve, rritjen me 50-70% të pensioneve në qytet, mbi dyfishimin e numrit të studentëve, internet në të gjitha shkollat etj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›