Rama: Vlora, përgjigje shembullore Berishës
Edi Rama kërkoi dje votën e shqiptarëve për kandidatët e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në Koplik, Rrëshen e më pas në Bashkinë Vlorë. Duke ironizuar me deklaratat, për mirëqenie të Koplikut, të bëra sipas tij nga Saliu dhe Jozefina, Rama theksoi se është koha për ta refuzuar me votë këtë regjim kusarësh, që mendon vetëm për vete dhe oborrin e tij. “Sot Malësia e Madhe është vendi ku listat e borxheve nëpër dyqane janë bërë zinxhir, që kanë lidhur këmbët e çdo familje të zakonshme”, u shpreh Rama. Duke u ndalur te presionet që i bëhen punonjësve të administratës dhe mësuesve, Rama theksoi se humbësve nuk u ka mbetur asnjë alternativë më, përveç shantazhit. “Ata që fitojnë nuk kanë nevojë të bëjnë presione e shantazhe. Presionet dhe shantazhet i bëjnë ata që humbin dhe ata që i tremben votës së popullit, si djalli temjanit, ashtu siç i trembet Saliu me Ilirin dhe me të gjithë oborrin e kusarëve, të cilëve më 8 maj të gjithë bashkë, si në një demonstratë të madhe popullore tek kutitë e votimit, do t'ju tregojmë se kemi gjithçka na duhet për të ecur në të vetmen rrugë, në rrugën e Aleancës për të Ardhmen, duke u thënë kusarëve dhe matrapazëve, kurrë më mbi kurrizin tonë”, nënvizoi Rama. Gjatë ndalesës elektorale në Rrëshen, socialistët prezantuan kandidatin Ndue Kola duke ju bërë thirrje mirditorëve t’i thonë “kurrë më” qeverisë Berisha, që sipas Ramës e ka kthyer Shqipërinë në një bahçe private. Në orët e mbrëmjes, kryetari i Partisë Socialiste u ndal në tubimin e zhvilluar në qytetin e Vlorës, ku kërkoi përhapjen e frymës së fitores në të gjithë vendin. “Më 8 maj, Vlora do të përcjellë kudo frymën e fitores. Më 8 maj qytetarët vlonjatë do të votojnë për Shpëtim Gjikën dhe Aleancën për të Ardhmen”, deklaroi Rama. Kryesocialisti nënvizoi se programi që ofron qeverisja e majtë synon zhvillimin e Shqipërisë, sipas standardeve të vendeve europiane. Rama premtoi se çdo qytet i vendit do të ketë një infrastrukturë moderne. “Ne do të angazhohemi për të ndërtuar Europën në Shqipëri. Ne do të krijojmë një administratë publike transparente. Qytetet do të kenë rrugë të shtruara dhe një transport publik modern”, premtoi Rama.
Sipas kreut të socialistëve, një tjetër prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, i cili sipas tij do të arrihet me votën e qytetarit për Partinë Socialiste. “Do të paguajmë 50 për qind të qirasë për familjet e pastreha. Qytetarët do të na japin mandatin për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Vota është fuqia magjike e demokracisë. Me votë do të ndëshkojmë keqqeverisjen”, shtoi Rama. Duke ju drejtuar qytetarëve të Vlorës, ai tha se Saliu ka kohë që ja ka marrë të keqen Vlorës, por Vlora do i japë shembullin se si shpëtohet nga e keqja e Saliut. Kreu socialist nënvizoi faktin se Kryeministri Berisha ka fyer jo vetëm elektoratin vlonjat, por të gjithë Shqipërisë, pasi i ka ofruar zgjedhësve sipas tij një person të padenjë.