Berisha, Psomiadhis: Greqia përkrah integrimin e Shqipërisë
Shqipëria ka të sigurt përkrahjen e Greqisë për projektin e integrimit euroatlantik në BE dhe NATO. Kjo iu bë e ditur dje Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi dje me prefektin e Selanikut Panajot Psomiadhis dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri e konsideroi këtë vizitë një dëshmi tjetër të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, qeverive, institucioneve dhe popujve tanë miq. Prefekti Psomiadhis u shpreh se e konsideronte një nder të madh që pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, një mik i popullit të tij. “Shqiptarët, - u shpreh z.Psomiadhis, - janë një popull mik, qytetarët e të cilit me punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre kanë lënë mbresa të thella në zemrat e qytetarëve grekë. Ata janë bërë një faktor i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë greke, në të cilën janë integruar dhe po kontribuojnë me dinjitet”. Prefekti Psomiadhis vlerësoi rolin e Kryeministrit Berisha në forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis popujve tanë miq dhe qeverive të të dy vendeve. Z. Psomiadhis i shprehu Kryeministrit Berisha konsideratën më të lartë për rezultatet e reformave të ndërmarra në të gjitha fushat për të çuar më tej zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë, si dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis dy vendeve dhe qeverive, në veçanti nivelin shumë të lartë të shkëmbimeve në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe interesin e jashtëzakonshëm të investitorëve grekë për të investuar në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i prezantoi z.Psomiadhias reformat e ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e klimës së biznesit në vend, vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, eliminimin në maksimum të lejeve dhe licencave, nismën “Shqipëria 1 euro” etj. Të dyja palët konstatuan rritjen e interesit të firmave të mëdha greke në Shqipëri. Kryeministri siguroi se investitorët grekë do të kenë mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare në projektet e tyre këtu. Prefekti Psomiadhis vlerësoi përkrahjen që Kryeministri Berisha i ka dhënë minoritet grek në Shqipëri. Ai tha se i bashkohej shprehjes së Kryeministrit Berisha se vëllai më i mirë është fqinji. Kryeministri Berisha dhe prefekti Psomiadhis i vlerësuan emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri si një faktor të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionale miqësore mes dy vendeve, marrëdhënie me një të ardhme të shkëlqyer.