Dekretet e Topit, deri në fund në duart e Bejës
Fatos Beja, numri një i Komisioni të Ligjeve, që pas pak ditësh pritet të marrë mandatin e ministrit të Arsimit, do të vazhdojë ende të drejtojë këtë komision derisa të votohet nga Kuvendi. Deri atëherë Beja shpreson që t’i japë fund edhe çështjes së dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. I Pyetur dje nga mediat, Beja pohoi se vazhdon ende të jetë kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe se derisa të votohet në Parlament ai do të vazhdojë të jetë i tillë, dhe brenda kësaj kohe ka kohë të mjaftueshme që të mbyllet çështja e dekreteve. “Jam ende kryetar i Komisioneve të Ligjeve. Preokupimet e mia për momentin janë mbledhjet në komision. Unë besoj se do t’i miratojmë dekretet më parë”, - tha Beja. Komisioni i Ligjeve pritet që të rimarrë në shqyrtim gjashtë dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë në një mbledhje ditën e premte. Gjatë kësaj mbledhje gjashtë anëtarët do të përballen me seanca dëgjimore. Në këtë pikë duket se ka një përplasje me opozitën. Kjo e fundit kërkon që gjashtë dekretet e Presidentit nuk duhen trajtuar si kandidatë, por si emërime të numrit një të shtetit shqiptar, çka bën që ata të mos u nënshtrohen procedurave të tilla. Në këtë pikë, sipas opozitës, Kuvendi duhet të shprehet me pro ose kundër dekreteve. Ndërkohë që emërimi si ministër i Arsimit dhe Shkencës, nuk ka kaluar pa urimet e gazetarëve dhe të kolegëve në këtë komision. Beja është paraqitur në mbledhjen e radhës të këtij komisioni duke marrë herë urime dhe herë shpoti nga anëtarët e opozitës, të cilat ai i ka pritur me dashamirësi. “Sido që të jetë, e ka drejtuar mirë komisionin”, - është shprehur anëtari i PS-së, Majko, mes humorit të të gjithë anëtarëve. Pas tri vitesh MASH-i rikthehet në duart e demokratëve e drejtuar deri tani nga aleatët e PDR-së. I pyetur për këtë çështje, Beja është shprehur se është normale ky rikthim, përderisa demokratët janë në pushtet. “Kthimi në duart e demokratëve të MASH-it është gjëja më normale, demokratët janë në pushtet”, - deklaroi Beja.