E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, “Sagem Securite”: Në shtator, regjistri civil

Kryeministri Sali Berisha premton se në muajin shtator do të fillojë funksionimi i regjistrit elektronik i Gjendjes Civile, që do të shërbejë si një bazë për përgatitjen e kartave të identitetit. Kjo iu bë dje e ditur nga Kryeministri kompanisë “Sagem Securite”, e cila dy ditë më parë lidhi me Ministrinë e Brendshme kontratën për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, të kryesuar nga drejtori i përgjithshëm Jean Paul Jainsky. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe ambasadorja e Francës në Tiranë Maryse Daviet. Z.Jainsky, pasi shprehu falënderimet për punën e bërë për përfundimin e kontratës me transparencë dhe profesionalizëm, e njoftoi Kryeministrin Berisha se kompania e tij kishte zhvilluar mbledhjen e parë, duke filluar në këtë mënyrë punën për zbatimin e kontratës. Pasi i falënderoi për punën e filluar dhe planin e biznesit të paraqitur, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që procesi transparent i tenderit përzgjodhi kompaninë “Sagem Securite” si kompaninë me ofertën më të mirë dhe me emër të madh në këtë fushë. “Projekti i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, - theksoi Kryeministri, - ka rëndësi të veçantë kombëtare, sepse, së pari, ai përbën bazën e strukturave të reja, të procesit zgjedhor transparent; së dyti, përbën një bazë të rëndësishme për sigurinë dhe sigurimin e qytetarëve shqiptarë dhe së treti, u jep identitet të sigurt e të vërtetë atyre. Gjithashtu ky projekt ka rëndësi ndërkombëtare, pasi jo vetëm i prezanton denjësisht shtetasit shqiptarë, por përbën edhe një kusht thelbësor për realizimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të plotë të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”. Kryeministri Berisha i siguroi drejtuesit e “Sagem Securite” për mbështetjen e plotë të strukturave të qeverisë së tij, për të realizuar këtë projekt kaq të rëndësishëm. Kryeministri u bëri të ditur se në muajin shtator fillon funksionimin regjistri elektronik i Gjendjes Civile, që do të shërbejë si një bazë në punën e tyre. Z.Jainsky premtoi se kompania e tij, në bashkëpunim me partnerin e saj, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme, do të bëjnë të pamundurën për të fituar kohën e humbur dhe realizimin me sukses të këtij projekti. Z.Jainsky tha dhe se ky projekt me Shqipërinë është cilësuar i rëndësishëm edhe nga qeveria e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›