E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, ende asnjë formulë për KQZ-në



Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka shqyrtuar ende asnjë propozim konkret lidhur me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe komisioneve të niveleve të tjera. Në mbledhjen e radhës që u zhvillua dje në mesditë në mjediset e Kuvendit është diskutuar për fletën e votimit si dhe për vendin e votimit dhe çështje teknike të tjera që lidhen me këtë proces. Sipas anëtarit të këtij komisioni, Spartak Braho, komisioni nuk ka mbërritur ende në pikat më të rëndësishme të tij dhe deri më tani janë diskutuar çështje që pak a shumë janë parashikuar në Kodin aktual Zgjedhor. Palët janë angazhuar që në fund të këtij sesioni të mbyllet reforma zgjedhore dhe me konsensus të miratohet ligji i ri elektoral. Megjithatë, gjasat tregojnë se për efektin kohor, ligji zgjedhor mund të miratohet edhe në muajin shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Këtij komisioni i kanë mbetur mjaft çështje të diskutueshme, si listat zgjedhore, kartat e identitetit, funksionimi i KQZ-së, KZZ-ve, KQZV-ve, Qendrave të votimit e të numërimit të votave etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›