Topalli, letër Uidhersit e Boshit: Ndryshimi i vendeve, gabim administrativ
Kryetarja e Kuvendit u përgjigjet ambasadorëve
Topalli: Nder i veçantë prania e trupit diplomatik
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes një letre dërguar ambasadorit të OSBE-së Robert Bosh, si dhe ambasadorit amerikan Xhon Uidhers, sqaron arsyet e ndërrimit të vendeve për përfaqësuesit e këtyre ambasadave në lozhat e sallës së Parlamentit në seancën e ditës së enjte të javës së shkuar. Letrës së Boshi dhe Uidhersit Topalli i përgjigjet qartë dhe prerë se nuk bëhet fjalë për një dëbim të përfaqësuesve të tyre nga salla, por për një nderim të vendeve që është bërë për shkak të një gabimi nga ana e administratës së Kuvendit. “Dëshiroj t’ju siguroj se nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë që të largohet njeri nga ndjekja e punimeve të Parlamentit. Ndryshimi i vendeve, nga lozha në galeri, për punonjësit e huaj dhe shqiptarë të programit OPDAT ka qenë vetëm keqkuptim administrativ, për shmangien e të cilit në të ardhmen janë marrë të gjitha masat”, - shkruan Topalli në letrën e saj.
Përkundrazi, Kryetarja e Kuvendit shkruan se Kuvendi i Shqipërisë e ka për nder që të jenë të pranishëm titullarë të trupit diplomatik. “Më lejoni të ritheksoj se unë personalisht dhe Kuvendi që unë drejtoj, ashtu si të gjithë shqiptarët, ushqejmë një mirënjohje të thellë ndaj miqësisë së palëkundur dhe mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kuvendi i Shqipërisë, si gjithnjë, ndihet i nderuar të mirëpresë titullarë të trupit diplomatik, ambasadorë, shefa misionesh e përfaqësues të tjerë, në punimet e Parlamentit”, - vazhdon letra e Kryetares së Kuvendit.
Më tej, numri një i Kuvendit shqiptar shpreh lumturinë e saj dhe të kolegëve parlamentarë se së bashku kanë arritur të ketë transparencë, më shumë se kurrë për veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Madje, Topalli vë në dukje se lidhur me seancën për të cilën Bosh dhe Uidhers pretendojnë se përfaqësuesit e tyre janë larguar nga lozhat e Kuvendit se “ashtu si edhe në seancat e tjera plenare, edhe në atë të datës 17.07.2008, me një axhendë intensive me shumë pika në rend të ditës, punimet e kësaj seance janë transmetuar drejtpërsëdrejti mbi 5 orë, në disa kanale televizive”. “Sërish dëshiroj të përsëris se e konsideroj nder të veçantë për Kuvendin e Shqipërisë praninë e ambasadorëve dhe të stafeve të tyre në ndjekjen e punimeve të Parlamentit”, - përfundon letra e Kryetares së Kuvendit dërguar dy ambasadorëve në vendin tonë, Xhon Uidhers dhe Robert Bosh. Këta të fundit i kanë nisur një letër Kryetares së Kuvendi ku shprehnin indinjatën e tyre të thellë lidhur me largimin që u kanë bërë përfaqësuesve të ambasadës nga salla e Kuvendit ditën e enjte para se në Kuvend të raportonte prokurorja e përgjithshme Ina Rama.