Ndryshimet në qeveri, Berisha çon emrat tek Topi
Pollo, Godo e Beja presin firmën e Topit
Presidenti, 6 ditë afat për hedhjen e firmës
Ndryshimet në qeveri mbërrijnë tek Presidenti Bamir Topi. Kryeministri Sali Berisha zyrtarizoi dje lëvizjet në kabinetin e tij duke i dërguar dekretet në Presidencë për firmën e kreut të shtetit. Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, në një deklaratë të shkurtër për mediat pak para fillimit të mbledhjes së qeverisë, bëri me dije propozimet e shefit të qeverisë që kanë shkuar në tavolinën e kryetarit të shtetit, Bamir Topi. Ato tashmë presin vetëm firmën e tij që të kalojnë për votim në kuvend. Meçani njoftoi se “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, i propozoi Presidentit të Republikës, z.Bamir Topi, në bazë të nenit të 98.1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë emërimin në postin e zëvendëskryeministrit të z.Genc Pollo dhe lirimin e tij nga posti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i propozoi Presidentit Topi, emërimin në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës të z.Fatos Beja, dr. i Shkencave Filologjike, si dhe emërimin në postin e ministres së Shëndetësisë të prof. as. dr. i Shkencave znj.Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të z.Nard Ndoka”. Dy nga tri kandidaturat kanë një karrierë të gjatë në politikë ndërkohë që Anila Godo, vajza e politikanit të njohur të së djathtës Sabri Godo, vjen nga shoqëria civile, si një njohëse e mirë e problemeve të shëndetësisë, me një përvojë të gjatë pune prej afro 30 vitesh. Në vitin 1980, Godo është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë dhe që prej atij viti ka ushtruar profesionin e mjekes në departamentin e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në Tiranë. Që nga viti 1990 dhe deri më sot është pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë dhe nga viti 2003-2007 zv.dekane e Fakultetit të Mjekësisë. Nga vitet 1997-2002 është shefe e departamentit të Pediatrisë. Aktualisht është shefe e pavijonit të Onko-hematologjisë pediatrike. Që nga viti 2007 ushtron një mandat 7-vjeçar si anëtare e KALSH-së. Në vitin 1997 ka marrë titullin "Doktor i Shkencave", ndërsa në vitin 2001 titullin akademik "Profesor i Asociuar". Ka një aktivitet të pasur shkencor dhe ka kryer një seri specializimesh jashtë vendit. Znj. Godo është anëtare e Partisë Republikane që prej vitit të parë të krijimit të saj.