E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Puna në të zezë, vepër penale

Nga 1 janari i 2009-s, qeveria “Berisha” do të sanksionojë punëmarrësit përmes ligjit të ri të cilësuar si anti-skllavëri. Pas kësaj date, puna e zezë do të konsiderohet vepër kriminale dhe jocivile, siç është konsideruar deri tani. Në një situatë të tillë, nuk do të lejohet asnjë punëdhënës të përfitojë nga puna e njerëzve në nevojë. Por nëse do të përfshihet kjo çështje në kuadrin e korrupsionit apo atë të shfrytëzimit skllavërues të qytetarit, kjo do të diskutohet deri në miratimin e ligjit që pritet të kalojë javën që vjen në Këshillin e Ministrave. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, e rëndësishme është se kjo do të shpallet vepër penale. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë i kërkoi dje Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave që të hartojnë ligjin përkatës, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës. "Të përcaktojmë prerogativat ligjore më të rrepta, dhe këto prerogativa do të quhen prerogativa anti-skllavëri, skllavëri ekonomike, s'po i quaj tjetër, se ata të cilët mbajnë punëtorë në të zezë, ata kanë një problem shumë madhor. Unë kërkoj z. Ministër, që kjo të mos trajtohet si një problem civil, por penal dhe i rëndë", - deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Ai apeloi se punëmarrësit duhet të mbrojnë punonjësit nga puna e pasiguruar dhe do të marrin masat më të rrepta kundrejt atyre që favorizojnë punën në të zezë. Berisha përmendi faktin se ka raste të shumta të punëdhënësve, të cilët punësojnë një numër të madh punëtorësh dhe paguajnë sigurimet vetëm për disa prej tyre. Sipas tij, këta punëdhënës përfitojnë nga njerëz hallexhinj, djem dhe vajza, të cilët i trajtojnë si skllevër. “Ne duhet t’i mbrojmë këta njerëz të punësuar. Asnjë prej tyre nuk do të punojë në të zezë. Secili prej tyre kërkon të ketë një shumë parash të derdhura për pensionin e tij apo për sigurime të tjera. Ata robtohen dhe nuk derdhet një qindarkë për ta”, - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë informoi se do të merren masa që të paguhen sigurime, jo vetëm për punëtorët e punësuar me afat të gjatë, por edhe për punëtorët sezonalë, të cilët janë të shumtë në numër, sidomos gjatë sezonit turistik. Berisha theksoi se ulja e sigurimeve shoqërore që duhet të paguajë punëdhënësi nga 1 janari i vitit 2009, të cilat nga 32 % zbresin në 15 %, duhet të ndihmojë së tepërmi që fenomeni i punës në të zezë të shkojë drejt eliminimit të plotë. Duke vlerësuar rolin e biznesmenëve si gjeneratorë të mirëqenies dhe zhvillimit, Kryeministri theksoi se qeveria do të ketë në vëmendje parësore respektimin e të drejtave dhe lirive të plota të qytetarëve.

Kryeministri vlerësoi progresin e deritanishëm të bërë në këtë drejtim, por kërkoi që të shkohet me shpejtësi drejt qëndrimit me zero tolerancë ndaj shfrytëzimit skllavërues të njeriut. “Në rast se në vitin 2005, për një punëtor paguaje 30, duke nisur nga 1 janari i vitit 2009 për dy punëtorë do të paguhen gjithsej 30. Parësore nuk është çështja e të ardhurave në këtë rast, sepse nëse do të ishte e tillë nuk do t’i përgjysmonim, por parësore është problemi i madh i trajtimit të këtyre qytetarëve si skllevër”, - shprehet kreu i qeverisë. Sipas tij, “nuk jemi në shekullin e 18-të dhe të 19-të, por jetojmë në shekullin e lirive dhe të drejtave të pamohueshme të njerëzve. Ne kemi respektin më të madh për njerëzit e biznesit, sepse janë gjeneratorët e mirëqenies dhe të zhvillimit, por ne në çdo rast të parin kemi qytetarin, të drejtat e tij”.

Raporti i BB-së, Kryeministri-ministrave: Nxirrni vërejtjet

Anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të korrigjojnë çdo vërejtje të bërë në raportin e fundit të Bankës Botërore. Këtë gjë urdhëroi dje Kryeministri Sali Berisha për vartësit në Këshillin e Ministrave. Sipas tij, raporti “Të bësh biznes” do të jetë programi i punës së grupit Task-Forcë për reformat. Duke shprehur vlerësimin për punën e bërë për realizimin e reformave, që e renditën Shqipërinë në këtë raport, në vendin e dytë në botë, Kryeministri kërkoi nga anëtarët e qeverisë të analizojnë në detaje raportin e BB-së, për të trajtuar të gjithë problematikën dhe për të rritur më tej performancën ekonomike në të gjithë treguesit e vlerësimit. “Ne duhet t’i analizojmë të 10 shtyllat e raportit dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë për të dalë ndër të parët. Ky duhet të jetë qëllimi ynë. Rezultatet janë shumë inkurajuese dhe dëshmojnë që ne mund ta arrijmë këtë objektiv”, - tha z. Berisha. Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, Kryeministri theksoi: “Kërkoj nga ju që ta konsideroni këtë thjesht një stacion. Ju duhet ta lexoni dhe studioni me vëmendje raportin e Bankës Botërore. Beteja për lirinë e tregut është betejë për prosperitetin. Në qoftë se në vlerësimin e raportit të Bankës Botërore ne kapërcyem 50 vende, është e qartë se kjo u arrit nga lëvizja e madhe e 4 treguesve kryesorë, por që nuk janë të vetmit, pasi në total janë 10 tregues. Secili prej jush të analizojë raportin dhe të gjejë problematikën”. Duke u ndalur në disa çështje, p.sh., Ministria e Punëve Publike në ligjin e ri të urbanistikës duhet të përdorë standardet më të mira të arritura nga ndonjë vend në listimin që bëhet. Në lidhje me procedurat për tregtimin, importet dhe eksportet, ne nuk duhet të kemi më shumë sesa vendet e EOCD-së, ashtu siç është në raportin 8 për ne dhe 4 për vendet e EOCD-së. Ne nuk duhet të humbim kohë me shkresa dhe letra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›