E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, debati që çoi në dështimin e takimit

Dilema për një opozitë të fortë apo të presësh që qeveria të bjerë vetë çoi në dështimin e takimit të djeshëm mes partive opozitare. Në përpjekjen për të bashkuar të majtën, kreu i selisë rozë, Edi Rama, është ndeshur me kërkesën e vazhdueshme dhe të fortë të aleatëve të tij për një opozitë më të fortë “si në Parlament ashtu edhe në shesh”, siç janë shprehur ata. Në të kundërt, Edi Rama, pa harruar ndoshta kritikat e politikës me bilbila e tambure, mendon se nuk është koha për të bërë politikë radikale, sepse sipas tij, pushteti i Berishës është duke rënë vetë. Në një tryezë të rrumbullakët ku përballë njëri-tjetrit qëndronin Rama, Meta, Gjinushi, Milo dhe Vangjel Dule, duket se më shumë aleatë kishte Ilir Meta sesa Edi Rama. Kjo, sepse edhe Skënder Gjinushi nga fillimi deri në fund të bisedës është shprehur krejtësisht në favor të propozimeve të LSI-së, për të imponuar largimin e Kryeministrit Berisha. Burime nga takimi thanë për “standard” se takimi është fokusuar në dy çështje që kanë lidhje të ngushta me njëra-tjetrën. Së pari, tek bashkërendimi i veprimeve të opozitës për të imponuar largimin e Kryeministrit Berisha. Kjo duket se është pikëpyetja e madhe dhe ngërçi mes tyre. Pjesa e dytë e bisedës është fokusuar te reforma në drejtësi, që sipas të majtëve po bëhet në mënyrë të tillë që ekzekutivi po merr teren dhe po i kontrollon ato. Rama vuri theksin te ligji për prokurorinë, duke u shprehur se i takon së majtës që ta zmbrapsë atë. Kjo ka qenë alibia që Meta ka kërkuar, “jo thjesht përpjekje, por imponimin e largimit të Berishës”. Në këtë pikë, Rama është shprehur se “nuk duhet të bëjmë politikë radikale, Berisha po çmontohet vetë”. Meta është përgjigjur se “përkundrazi, Berisha po fiton çdo ditë e më shumë terren”. Meta është larguar i pari nga ky takim vetëm 30 minuta pasi ai filloi, çka krijoi idenë se e braktisi atë, por kreu i LSI-së shpjegoi për mediat se u largua për probleme personale, ndërkohë që LSI vazhdoi të përfaqësohej në takim përmes kryetarit të grupit parlamentar, Pëllumb Xhufi. Më pas u larguan Milo me Dulen. Dështimi i këtij takimi shuan shpresat për një bashkim të opozitës para zgjedhjeve. Për këtë, Meta tha se nëse PS do të bëjë vërtet opozitë të fortë, atëherë do ketë një bashkëpunim të fuqishëm mes partive. “Në rast se do të ketë vullnet për të realizuar këtë prioritet, imponimin e dorëheqjes së Sali Berishës, padyshim që do të ketë një bashkëpunim shumë të fuqishëm. Në rast se do të ecet me filozofinë që Sali Berisha ka ardhur duke u çmontuar, kur e vërteta është ndryshe, pastaj kuptohet që ne nuk mund të jemi për montimin e Saliut”, - deklaroi Meta. Prania e Vangjel Dules u konfirmua vetëm në fund të takimit, pasi ai gjeti rrugë të tjera për të hyrë në ambientet ku zhvillohej takimi, në mënyrë që të shmangte kamerat dhe gazetarët. Një takim 90-minutësh, i cili natyrisht që nuk mund të thuhet se solli rezultate surprizë, kjo sepse të majtët ndanë mendime të ndryshme për nivelin e të bërit të opozitës. Takimi përfundoi pasdreke dhe Rama refuzoi të fliste për mediat, duke i dhënë më shumë kohë vetes që të jepte një përgjigje për kërkesat e aleatëve.

Debati Rama-Meta

Meta: Duhet të bëjmë luftë të fortë për të larguar Kryeministrin si në Parlament, edhe në shesh.

Rama: Nuk është mirë që të bëjmë politikë radikale, pastaj Berisha po çmontohet vetë.

Meta: Përkundrazi, ai po fiton terren çdo ditë e më shumë, po kontrollon të gjitha institucionet.

Meta, kundër Ramës për ligjin e prokurorisë

Në një prononcim për mediat, kryetari i LSI-së zbuloi edhe një detaj tjetër që e ndan me Edi Ramën dhe ky është ligji për prokurorinë. Kreu i LSI-së nuk është dakord me bërjen e një ligji të ri për prokurorinë siç ka kërkuar Rama, por me mendimin e ligjit ekzistues. “Partia Socialiste, kryesisht, u përqendrua në idetë e saj për ligjin e ri të prokurorisë. Ne kemi mendimin që nuk ka nevojë urgjente për një ligj të ri të prokurorisë, sepse prokuroria e ka një ligj. Do të mjaftonte thjesht një amendament në ligj për të reflektuar ndryshimin në Kushtetutë për termin e përcaktuar për afatin e Kryeprokurorit në detyrë. Kështu që, gjithçka tjetër, ne mendojmë se është e tepërt për ato prioritete që ne kemi sot”, - deklaroi kreu i LSI-së.

Milo: Takimi, hapi i parë për bashkimin e opozitës

Kreu i Partisë Socialdemokrate ishte i vetmi që i dha tone mjaft pozitive takimit mes liderëve të së majtës. Sipas tij, ky takim shënoi hapin e parë për hedhjen e hapave të tjerë shumë të rëndësishëm për këtë kamp politik. “Demokracia Sociale ka shprehur në këtë takim mendimin se është e nevojshme, madje domosdoshmërish që opozita të koordinojë qëndrimet e saj në Kuvendin e Shqipërisë, përmes marrjes së iniciativave të tjera, përpos asaj që u propozua nga PS-ja. Mendimi është që beteja duhet të zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë, për të mbrojtur institucionet kushtetuese, për t’u dhënë atyre garanci për të funksionuar në mënyrë të lirë dhe kushtetuese”, - deklaroi Milo, duke shtuar se “mendojmë se takimi i sotëm ka shënuar hapin e parë drejt hedhjes së hapave të tjerë shumë më të rëndësishëm në të ardhmen, për koordinimin e qëndrimeve dhe veprimeve të opozitës shqiptare”.

Dule: PBDNJ, e interesuar për reformat, jo për oponencën kundër qeverisë

Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut ishte e vetmja parti që është në koalicionin qeverisës, dhe që mori pjesë dje në takimin e opozitës. Dule, i shoqëruar nga Leonard Solis, është shprehur se arsyeja e vetme që çoi në ardhjen e kësaj partie në këtë tryezë është domosdoshmëria e reformave. Sa për çështjen e largimit të Kryeministrit, Dule u përgjigj: “PBDNJ diskutoi ato aspekte, për të cilat ju fola. Reforma në drejtësi ishte një nga çështjet thelbësore. Reforma zgjedhore është një çështje kardinale që prej vitesh shqetëson vendin”. E megjithatë, PBDNJ është një parti që ka bërë herë pas herë kthesa të rëndësishme politike, duke bërë marrëveshje politike si majtas dhe djathtas dhe si pasojë ka qenë në qeverisje edhe me PS-së, edhe me PD-në. Prania e tij në këtë takim ra në sytë e medias. Duke sqaruar pozicionin e tij si parti në qeveri, Dule tha se nuk ka asnjë lidhje mes këtyre dy gjërave. “Nuk e kuptoj ç’lidhje ka me moralin të jesh në qeveri dhe të bashkëbisedosh, në të njëjtën kohë, me çdo forcë politike, pavarësisht nëse është në pozitë apo në opozitë, për drejtësinë dhe sigurinë e qytetarit”, - deklaroi ai pas takimit. Pyetjes se çfarë e bashkon me Edi Ramën, Dule iu përgjigj se bashkohet me funksionimin e shtetit të së drejtës, me frymën e konsensusit që kapërcejnë kufijtë e koalicioneve qeverisëse. “Bashkohemi me të gjithë me funksionimin e shtetit të së drejtës. Bashkohemi me të gjithë, me frymën e konsensusit për çështje madhore, të cilat kapërcejnë mandatet e koalicioneve dhe të qeverive. Bashkohemi me të gjithë për ato çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, - tha Dule.

Tom Doshi lë demokristianët, rikthehet në PS

Tom Doshi, ish-deputeti i Partisë Socialiste, kërkon të rikthehet sërish në radhët e selisë rozë. Pasi e braktisi dy vjet më parë për të shkuar drejt Partisë Demokristiane, vetë Doshi ka kërkuar që të rikthehet në parti. Ai ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë në kryesinë e Kuvendit për t’u ribërë pjesë e grupit parlamentar socialist. Ndërkohë që selia rozë e ka mirëpritur kërkesën e Tom Doshit, duke u shprehur se dera e socialistëve do të mbetet e hapur, për të gjithë ata deputetë që duan të kundërshtojnë politikën e regresit të përfaqësuar, sipas tyre, nga Kryeministri aktual. Largimi nga qeveria i ministrit Nard Ndoka dhe përplasja me Kryeministrin Berisha, por edhe lufta e brendshme e nisur më parë me ish-kryetarin Nikollë Lesi dhe prej muajsh me rebelët Gurakuqi Bushati e Ujka, ka thelluar krisjen në gjirin e demokristianëve.

Megjithatë pas largimit të Tom Doshit e Pashk Ujkës, grupi demokristian nuk rrezikon të shpërbëhet, pasi së bashku me Gilman Bakallin bëhet numri 7 i nevojshëm, i kërkuar nga rregullorja. Doshi u largua nga Partia Socialiste në shkurt të 2006-s dhe është deputet i zonës së Shkodrës. Në këtë mënyrë, radhëve të socialistëve u shtohet një tjetër deputet, duke zëvendësuar të paktën largimin e Petro Koçit. Ndërkohë që më parë në këtë parti është afruar edhe ish-deputeti i PAD-së, Piro Lutaj, çka ka bërë që PS të mos e ndjejë shumë fort përjashtimin e gjashtë deputetëve nga radhët e saj vitin e kaluar.

PS, më shumë hapësirë për gratë në struktura

Forumi i Gruas Socialiste në bashkëpunim me Fondacionin “Qemal Stafa” organizoi dje një takim të hapur me temë “Për një ekuilibër gjinor në vendimmarrje”. Gjatë fjalës së saj, koordinatorja kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste, Ermira Danaj, theksoi se “një ndër objektivat e këtij aktiviteti është të diskutojmë së bashku për çështjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë, si një çështje shumë e rëndësishme në një moment shumë të rëndësishëm, tashmë që kemi hyrë në vitin elektoral. Dhe, nxitja dhe rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë është një ndër objektivat kryesorë të Forumit të gruas Socialiste”. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, u ndal te domosdoshmëria e përfaqësimit të grave në vendimmarrje, por jo vetëm në Parlament, por në të gjitha nivelet. Ajo theksoi se nuk duhet luftuar vetëm për një përfaqësim në Parlament, por në të njëjtën kohë duhet të punojmë për të nxitur pjesëmarrjen e grave në politikë në të gjitha strukturat e një partie, duke filluar që nga ajo bazë. Gjatë takimit u prezantua edhe programi i trajnimeve që Fondacioni “Qemal Stafa” do të zhvillojë në bashkëpunim me Forumin e Gruas Socialiste në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›