Qeveria, edhe 1.5 milion lekë për kurimin e Gazidedes
Qeveria shtoi dje një tjetër fond prej 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve për kurimin e z. Bashkim Gazidede, në Itali. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit, Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, zëri “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi prej 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve për kurimin e z. Bashkim Gazidede, në Itali. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Pagesa të bëhet pas paraqitjes së faturave origjinale të institucionit të kurimit. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi është në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë.