Ndoka: PDK, e vetme në zgjedhjet e 2009-s
Demokristianët do të garojnë të vetëm në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Por sipas kryetarit të PDK-së, duke qenë gjithmonë një alternativë e qendrës së djathtë. Të zhgënjyer nga bashkëpunimi me PD-në, z. Ndoka e akuzon këtë parti për prishje të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe kërkon që PDK-ja të masë forcat e vetme përballë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndoka është i bindur se dalja të vetëm në zgjedhje është në interes të partisë që ai drejton referuar dhe sistemit të ri zgjedhor. "PDK-ja është tashmë e vendosur që nuk mund të bëjnë aleancë me formacione, me parti politike, të cilat japin një kontribut regresiv në hartimin e kodit, me parti politike, të cilat kanë në strategji të tyre eliminimin e pluralizmit, eliminimin e partive politike. Duke e parë në këtë aspekt, gjykoj se interesi më i mirë i PDK-së është dalja me vete, pra testimi i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare", - u shpreh kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Po dje kreu demokristian refuzoi të komentojë aksidentin, ku humbi jetën biznesmeni Kosta Trebicka, por theksoi se opinioni publik ka humbur besimin tek institucionet e sigurisë për shkak të konflikteve që institucionet e pavarura kanë me qeverisjen. "Ajo që unë vërej si politikan është rritja e masës së pasigurisë tek qytetarët, rritja e masës së mosbesimit tek institucionet. Ka humbur jetën një nga dëshmitarët kyç të kësaj tragjedie, por hijet e dyshimit rriten kur ti me qëndrimet tuaja ke krijuar pasiguri, pabesueshmëri te publiku", - tha kryetari i PDK-së, Nard Ndoka.