Berisha: "Qëndrimet e PS si vendimet e pleniumeve të PPSH-së"
30/12/2004 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje se shqiptarët do të arrijnë të votojnë si qytetarë të barabartë para ligjit, pavarësisht tentativave të mazhorancës për manipulime. Deklaratat e PS-së dhe aleatëve të saj për miratim të Kodit Zgjedhor pa votat e opozitës, për kreun e demokratëve janë të ngjashme me vendimet e pleniumeve të PPSH-së. "Shqiptarët do të votojnë si qytetarë të barabartë para ligjit. Ata, të cilët përpiqen të bëjnë që forca elektorale e atij që voton për një palë në një zonë të jetë tre herë më e madhe sesa vota elektorale e atij që voton për kundërshtarin e tij në një tjetër zonë, ka dështuar. Këta nuk janë gjë tjetër vetëm se kleptokratë, janë të shkonfiguruar nga çdo lloj morali dhe parimi njerëzor", tha Berisha. Kryetari i PD-së i bëri këto deklarata gjatë një konferencë për shtyp, ku përshëndeti fitoren e kandidatit të opozitës në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës, Viktor Jushçenkos. "Në emër të Partisë Demokratike, përshendes Viktor Jushçenkon si fitimtar, si heroin e vërtetë të demokracisë. Fitorja e Jushçenkos është triumf i madh i demokracisë në Ukrainë, është triumf i madh i përgjegjësisë qytetare për votën. Nderim të madh qytetarëve të Ukrainës, që për javë të tëra nuk e lëshuan sheshin e Kievit, për të mbrojtur të drejtën e tyre demokratike më themelore, votën e lirë", tha Berisha. Për Partinë Demokratike, deklaratat e Kryeministrit shqiptar janë të njëjta me ato të ish-presidentit të Ukrainës, Janukovic, kur fliste për ndarjen e këtij shteti. "Nga ana tjetër, fitorja e Ukrainës është një goditje fatale për kleptokratët e tipit Janukoviç, të cilët njësoj si Fatos Nano, pralajmëruan ndarjen e vendit të tyre në rast se nuk do të manipulohen zgjedhjet. Edhe një herë i dërgojmë përshëndetjet më të përzemërta fitimtarit që është dy herë fitimtar, i zgjedhjeve dhe ndaj kleptokracisë", tha Berisha. Duket se me afrimin e zgjedhjeve, tensioni politik mes dy forcave më të mëdha politike në vend, po shtohet akoma më shumë, duke paralajmëruar një luftë të ashpër elektorale. Mosmiratimi i hartës elektorale dhe i kodit zgjedhor, pavarësisht se ishin pjesë e rekomandimeve të KE-së, për hapjen e negociatave për stabilizim-asociimin, e acaruan akoma më shumë klimën politike në fundin e këtij viti. Miratimi i ndarjes zonale nuk u bë i mundur as me ndërhyrjen për negociata të OSBE-së. Ndërkohë, mosmiratimi i hartës elektorale rrezikon dhe miratimin e amendimeve në Kodin Zgjedhor, pasi ky i fundit kërkon 84 vota të deputetëve të parlamentit, por dhe konsensusin e dy partive më të mëdha. Hyrja në zgjedhje me kodin e vjetër do të ishte e papranueshme për opozitën dhe për institucionet ndërkombëtare.
Godo: Ligjet ndryshojnë me kalimin e kohës
Sabri Godo, anëtar i Këshillit të të Urtëve dhe një ndër hartuesit e Kushtetutës, ka kërkuar në një prononcim për median ndërhyrjen e Presidentit për të zgjidhur çështjen e ndarjes zonale dhe të kodit zgjedhor. Sipas Godos, socialistët duhet të tërhiqen nga pretendimet dhe t'i hapin rrugën zgjidhjes së problemit. "Presidenti i Republikës duhet të ushtrojë kompetencat e tij, në mënyrë që zgjedhjet të bëhën në kohën e përshtatshme dhe të mos pengohen nga askush", tha Godo. Sipas tij, kërkesat e PD-së për këtë çështje janë të drejta, ndërsa ligjet duhet të ndryshojnë me kohën. "Mua m'u duk pak e habitshme dhe qëndrim tepër drastik i Ruçit, kur tha se nuk lëvizim asnjë presje, nuk ndryshojmë asnjë pikë, nuk ndryshojmë asnjë gërmë. Ligjet duhet të ndryshojnë me kohën bashkë, pasi shoqëria ecën, një pjesë përfaqësohet në parlament me një grusht votash, kurse një pjesë ka një përfaqësim më të madh. Nga kjo anë, them se PS-ja duhet të bëjë një tërheqje më të madhe dhe duhet ta shikojë me mendje më të kthjellët këtë çështje", tha Godo. Në këtë mënyrë, ai ka pranuar se duhet marrë në shqyrtim kërkesa e Presidentit për ndryshimin e kodit zgjedhor, apo dhe një ndryshim i Kushtetutës mbi kriteret e ndarjes zonale.