E Hënë, 2 Nëntor 2026

PR: LZHK deklaroi bashkëpunimin me PS

30/12/2004  Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka akuzuar deputetët e LZHK-së për pazare dhe bashkim votash me mazhorancën për miratimin e Kodit Zgjedhor. Sipas kreut të PR-së, deklaratat e fundit të krerëve të LZHK-së, shkojnë në të njëjtën linjë me pretendimet e Leka Zogut, që pak kohë më parë u shpreh pozitivisht për aleancë me PS-në. "Unë kam thënë që naiviteti politik është i tepërt, por nëse shoh përfaqësues të klasave politike, të lëvizjeve mbretërore apo quajini si të doni, që dalin dhe deklarojnë që nuk ka ndonjë problem të madh se si është ndarja e zonave, ose nuk e kuptojnë realisht se çfarë është ndarja e zonave zgjedhore, ose janë në pazare me PS-në për të garantuar ndonjë komisioner. Kaq mjafton për ata duke cënuar në thelb gjithë ecurinë e procesit zgjedhor. Deklarimet e pretendentit për fronin mbretëror se do të bëjmë aleanca me PS, janë në të njëjtin fokus me PS-në dhe të përfaqësuesve në parlament të kësaj lëvizjeje, që thonë janë ta gatshëm për të shkuar në zgjedhjet dhe me këtë ndarje zgjedhore, nuk bën gjë tjetër veçse shkojnë në të njëjtën frymë për manipulimin e procesit zgjedhor bashkë me PS", tha Mediu. Nga ana tjetër, republikanët janë të mendimit se lëvizje të tilla nuk duhet të ngatërrohen me lëvizjet e opozitës reale. "Partia Republikane denoncon çdo tentativë për të realizuar konsensuse me forca politike, që nuk përfaqësojnë opozitën për të mundësuar votimin në parlament të zonave, ashtu siç janë. Tashmë është e dukshme se, ajo pjesë e opozitës që deklaron se nuk ka asnjë pretendim për ndarjen e zonave, është në pazar me Partinë Socialiste", tha Mediu.

Ndarja Zonale

Për PR-në, pretendimi i socialistëve se ndarja e re zonale është antikushtetuese nuk qëndron. Sipas republikanëve ligji për këtë çështje është akoma në fuqi dhe të drejtën për ta vlerësuar si antikushtetues nuk e ka as parlamenti dhe as Partia Socialiste. "Arsyeja e kundërshtimit është e thjeshtë. Me ndarjen aktuale zgjedhore, Partia Socialiste, pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjin, siguron 5 zona mazhoritare, duke vendosur në kushtet e manipulimit të hapur të gjithë procesin", tha Mediu. Në lidhje me një bojkotim të mundshëm të zgjedhjeve republikanët shprehen se është ende herët që opozita të deklarojë mospjesëmarrjen në votime. "Unë nuk mendoj se do të arrijmë deri tek ideja e fundit, do të hyjmë apo jo në zgjedhje? Opozita ka qenë e angazhuar në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe kemi marrë pjesë aktive, si PD, PR, dhe PDR në grupin e ekspertëve në komisionin bipartizan për të arritur në një Kod Zgjedhor, i cili gjeti mbështetjen e OSBE dhe të ekspertëve ndërkombëtarë", tha Mediu. Sipas kreut republikan, me veprimet e saj, PS-ja po del jo vetëm kundër opozitës, por edhe kundër faktorit ndërkombëtar. "Nëse cënohen këto marrëdhënie, mendoj se PS-ja i kundëvihet jo vetëm opozitës, por edhe faktorit ndërkombëtar. Të gjithë ato faktorë, apo elementë të politikës, që shkojnë në këtë frymë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse cënojnë integritetin e procesit zgjedhor", tha kryetari i PR-së, Mediu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›