Prokuroria: 20 vjet burg për Çunin, akuzohet per vrasje
30/12/2004 TIRANË – Prokuroria kërkoi dje dënimin e të pandehurit Eduard Çuni, me 20 vjet heqje lirie. Prokurori Kol Hysenaj e deklaroi të pandehurin fajtor për veprën penale të bashkëpunimit në vrasje. Ndërkohë që autor kryesor është provuar se ka qenë i pandehuri Besnik Lamçe, i dënuar tashmë nga gjyqtarja Alkelina Gazidede, në mungesë me 25 vjet heqje lirie. Sipas akuzës, të pandehurit në vitin 2000 kanë vrarë shtetasin Gentian Uka. Megjithatë gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, për të akuzuarin provat kanë qenë disi në favor. Një nga dëshmitarët kryesorë të procesit, nëna e të pandehurit Besnik Lamçe, e ka përjashtuar Çunin nga vepra penale. Nëna e të dënuarit me 25 vjet burg, Besnik Lamçe, ka mbrojtur para gjykatës të pandehurin, i larguar nga Burgu 325, në 19 prill të këtij viti. Në këtë datë, ai ka lënë qelinë e burgut me firmë të juristit Dritan Cenaj, ndërkohë që ishte ende në gjykim për një vepër tjetër penale. Vetë i larguari është shprehur: "Jam i qetë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor". Kështu ka deklaruar dje në sallën e gjyqit Eduard Çuni, që me lirimin nga burgu bëri 'kurban' tri persona, drejtorin dhe dy jurista. Sipas dëshmitares, Çuni nuk ka lidhje me vrasjen e Gentian Ukës, në qershor të vitit 2000". Prokurori i çështjes Kol Hysenaj, gjatë fazës së hetimit dhe ballafaqimit të gjurmëve të gishtave, kishte provuar se në vrasjen e Ukës, përveç Besnik Lamçes, kishte marrë pjesë edhe Çuni. Për këtë të pandehur filloi hetimi i ndarë nga Besnik Lamçe, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie. Sipas akuzës, dy të akuzuarit e kanë vrarë Gentian Ukën vetëm për një pistoletë. Akuza u shpreh se viktima kishte mbajtur për një kohë të gjatë pistoletën e Lamçes. Ky i fundit ka vajtur për t'ia marrë dhe kur nuk e ka shtënë në dorë, mendoi ta vrasë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gjurmët e gishtave të të pandehurit Eduard Çuni. Ndaj tij rëndon edhe akuza e vjedhjes së makinës së shtetasit Florenc Fejzullai. Pikërisht në këtë makinë janë gjetur edhe gjurmët e gishtave. Vetë i pandehuri nuk e pranon akuzën. Ai është i bindur se e vërteta është krejt ndryshe. Besnik Lamçe nuk dihet se ku ndodhet. Policia, edhe pse ka në dorë emrin dhe fotografinë e tij dhe e ka shpallur në kërkim, nuk ka bërë të mundur arrestimin. Kërkimi ka filluar që nga qershori i vitit 2000.