E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, mes pengmarrjeve, drogës, vrasjeve në një vit

30/12/2004  

Statistika

Gjithsej 2445 vepra penale

Janë zbuluar 1691 ose 69.1 për qind

Janë implikuar 2101 autorë

Arrestuar 1186 persona

Krime kundër personit 520

Zbuluar 491

Janë 20 vrasje kriminale

Krime kundër pronës 1231, zbuluar 515

Janë bllokuar 3.530 kg heroinë, 554.3 kg kanabis

Janë shkaktuar 2520 incidente rrugore me 75 të vrarë dhe 60 të plagosur

Janë pezulluar 1597 mjete dhe 1799 automjete

Janë grumbulluar 2381 armë të ndryshme dhe 203.000 municione

Janë përjashtuar 55 uniforma blu dhe ndëshkuar 407 të tjerë

Në vitin 2004, Tirana shënoi afro 2500 vepra penale, mes të cilave 20 janë vrasje të rënda. Pengmarrje, drogë, grabitje me dhunë, vrasje, krime kundër pronës, janë nga më të shumtat. Data 18 korrik e 2004-ës shënoi pengmarrjen më të bujshme në kryeqytet të të riut Fatjon Demirlika. 22-vjeçari, emigrant i posaradhur nga Gjermania, u rrëmbye nga një grup kriminal i përbërë nga disa persona. Në këmbim të tij, pengmarrësit i kërkuan të atit, Shkëlqimit, t'u dorëzonte një shumë prej 100 mijë eurosh. Këmbimi i parave me pengun do të kryhej në varrezat e Tufinës. Por, duket se babai Fatjonit nuk kishte shumë besim te besa e banditëve, ndonëse më vonë do të dilte se i njihte mirë. Kësisoj, ai kërkoi ndihmën e forcave të rendit për t'i liruar të birin. Pas një operacioni të suksesshëm të forcave speciale dhe atyre të Komisariatit nr.3, u bë e mundur kapja e Ilir Kudumit, njërit prej pengmarrësve. Ai u arrestua në varreza në çastin që do të merrte në dorëzim një pjesë të parave. Vetëm 5 ditë më pas, në fshatin Grabjan të Lushnjës, forcat e rendit të këtij komisariati arrestuan Gjergj Cukalin, Ledio Liton dhe Eduart Skurën. Ndërsa pak ditë më pas, të fundit nga pengmarrësit, Florian Metallën. Si të mos mjaftonte vetëm Fatjoni, Metalla akuzohej nga drejtësia angleze si vrasës i Edmond Çullhait në Londër, së bashku me Ermal Sinanin. Për t'u rikthyer sërish te Demirlikajt, pa kaluar as një javë nga pengmarrja, në derën e shtëpisë së tyre u vra shoku i ngushtë i Fatjonit, Endri Shima. Vrasësi nuk është zbuluar ende nga policia.

Diko

Pluton Diko shënoi të dytin rast të pengmarrjes në vendin tonë. Shtetasi shqiptaro-kanadez u rrëmbye nga një grup të rinjsh në qytetin e Durrësit. Burime policore bëjnë të ditur se, Diko u rrëmbye në këmbim të 30 mijë dollarëve. Por për fat, i huaji u lirua shumë shpejt. Policia arriti të arrestonte në pak kohë të gjithë të dyshuarit si pengmarrës. Ardian Alvora, Petrit Ramhoxha dhe studenti Arbër Duda, u vunë në pranga. Pak ditë pas publikimit të ngjarjes, rezultoi se Pluton Diko ishte njeri me personalitet të dyshimtë në Kanada, ku dyshohej për kryerjen e një sërë veprash penale. Sakaq nisi gjyqi në ngarkim të të arrestuarve. Vetëm 2 ditë më parë u lirua studenti, i cili ishte dërguar në qeli, vetëm se nga telefoni i tij rezultonte një thirrje dalëse për te celulari i pengut. Siç u zbulua më pas, Dudës ia kishin marrë telefonin me dhunë 2 banditët që rrëmbyen Pluton Dikon.

Droga

I pagëzuar me emrin "Kompas", operacioni më i fuqishëm antidrogë në vendin tonë, shënoi një sërë surprizash. Falë një bashkëpunimi të suksesshëm italo-shqiptar, në datën 21 qershor u vunë në pranga Arjan Selimi, aksioner i "Rozafa", Petraq Avramit, Blendi Fejzullahut, atit të tij si dhe Kujtim Popoçit pak muaj më pas. Ndërkaq, pati dhe shumë të shoqëruar si të implikuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Burime policore pohuan se grupi survejohej dhe përgjohej prej 2 vjetësh nga organet hetimore italiane. Edhe në qarqe të tjera të vendit pati shoqërime dhe marrje në pyetje. Sipas bluve, trafiku i drogës konsistonte në llojin heroinë. Ngarkesat vinin nga lindja dhe shkonin në Itali, ku dyshohet se vepron ende një pjesë e mirë e rrjetit.

Kurrizo

Grupi i Thimio Kurrizos nga Kuçova dhe i 2 kosovarëve, Abedin Roshiti dhe Dezmail S., u zbulua afro një muaj më pas. Të tre këta persona merreshin me trafikun e heroinës nga Afganistani në vendet e Evropës Perëndimore. Kreu i trafikut gjendej në Zvicër, ndërsa të arrestuarit ishin vetëm vegla të rrjetit. Për fat të keq, në çastin e arrestimit, policia nuk mundi të kapte veçse pak doza narkotiku, të cilën të prangosurit e justifikuan për përdorim vetjak.

Diplomatët

Ish-shoferi i ambasadës greke, Ilir Ajazi, u arrestua nga policia e Tiranës afro 1 muaj më parë. Së bashku me dy persona të tjerë, ai akuzohet se trafikonte kanabis sativa në shtetin fiqnj. Sipas bluve, duke përfituar nga pozicioni i shoferit i gruas së ambasadorit, Ajazi kalonte makinën me narkotikë pa problem në doganën e Kakavijës.

Grabitjet me dhunë, me pasojë vdekjen

Në gjendje të dehur, Guxim Kërtoçi dhe Sovran Qeleposhi, u bënë protangonistë të një historie me pasoja tragjike. Në datën 24 maj, dy ushtarët e Gardës morën peng një taksist në Tiranë, i cili i shpuri deri në Durrës, ku ata e braktisën. Si të mos mjaftonte me kaq, ata i vodhën dhe paratë si dhe e keqtrajtuan. Në kokë i mbanin një pistoletë, që Kërtoçi ia kishte marrë hua kushëririt të tij me të njëjtin emër, në Repartin 811. Rikthimi nga Durrësi qe fatal. Ata rrëmbyen sërish një taksi dhe e hodhën shoferin në autostadë. Ndërsa, ai u ndje fatlum që arriti të shpëtontet, por në unazën e re ngjau tragjedia. Postbllokut të bërë nga shërbimi i policisë rrugore, gardistët iu përgjigjën me zjarr. Në vendin e ngjarjes dha shpirt menjëherë, si pasojë e plagëve të rënda, Allaman Dervishi, u plagos Resmi Hasanpapa. Pas kurimit në Itali, ai gjendet jashtë rrezikut për jetën në shtëpinë e tij, i paaftë për t'iu rikthyer sërish punës. Policia arriti të vinte në pranga në fshatin Kashar dy gardistët. Ata u arrestuan e më pas u dënuan nga drejtësia me burgim të përjetshëm dhe 25 vjet burg.

Pedagogu

Mesnata e 12 korrikut i solli tragjedinë më të rëndë familjes Sade. Dibranët e ardhur në lagjen "Besa" pak vjet më parë, ranë pre e një grabitjeje të armatosur. Dy persona të maskuar hynë natën në banesën përdhese, me qëllim grabitjen. Familjarët u zgjuan nga gjumi dhe u rrekën t'i nxirrnin nga shtëpia. Vjedhësit e armatosur u bindën të dilnin, por në çastin e fundit, i zoti i pronës, Myrteza Sade tentoi t'i hiqte kapuçin njërit prej ytre. Veprimi ishte fatal. Duke pandehur si i njohën, vjedhësit qëlluan me armë në drejtim të tyre. Si pasojë mbeti i vdekur në vend 23-vjeçari Genci Sade si dhe u plagosën rëndë prindërit e tij. Dy ditë më pas, policia arriti të identifikonte dhe vinte në pranga njërin prej autorëve. Florian Muça, u kap në Elbasan te xhaxhai, ku qe fshehur për t'i shpëtuar prangave. Ai ishte kushëri i afërm i familjes Sade. U shpall në kërkim bashkëpunëtori tjetër, Arlind Hyseni. Ai nuk është vënë në pranga as sot e kësaj dite. Prindërit e Genci Sades kërkuan dënim me vdekje për ekzekutorin e të birit, duke iu drejtuar me një letër Presidentit të Republikës.

VJEDHJET

Domeniko Doda nga Shkodra cilësohet nga ekpertët e antikrimit si një nga vjedhësit më të suksesshëm të banesave në kryeqytet. I riu u arrestua nga policia në muajin gusht, i akuzuar për një grabitje shtëpie. Por, gjurmët e lëna në vendet e ngjarjes tradhtuan Dodën. Kësisoj, pas analizës shkencore, shkodrani rezultoi autor vjedhjesh së afro 18 banesave në Tiranë.

Agron Birkaj dhe Gjon Memaj, gjatë karrierës së tyre në fushën e vjedhjes shënojnë plot 47 banesa të bastisura. Gjatë një periudhe të shkurtër kohore, hajdutët kanë vënë dorë në shtëpitë e shumë shtetasve, duke grabitur orendi apo sende me vlerë. Nuk bie më poshtë se ata Syri Mehmeti, gjithashtu i arrestuar, i cili punonte i vetëm.

Besnik Zaimi kishte zgjedhur një rrugë të veçantë për t'u bërë i pasur. Vidhte automjete tip "Benz" nëpër rrugë e parkingje dhe i shiste në servise si pjesë këmbimi. Plot 14 makina të tilla kanë rënë pre e grabitjeve të tij e më pas gjymtimit në varrezat e mjeteve. Zaimi u arrestua 2 muaj më parë në Tiranë.

Operacionet

"Rrjeta e Hekurt" ishte operacioni i parë i forcave blu për vitin 2004. Pas tragjedisë së 9 janarit, policia kriminale nisi bllokimin e pronave që vinin nga suporte antiligjore. Në kuadrin e këtij operacioni u sekuestruan një sërë ndërtimesh, si banesa, lokale etj., të të ashtuquajturve baronë të drogës. Por, më pas, të gjitha iu kthyen pronarëve të mëparshëm për mungesë provash.

"Liqeni 3" nisi në fundin e muajit mars. Ai konsistonte në kontrollin dhe bllokimin e të gjitha makinave që rezultonin të grabitura në Interpol. Në kuadrin e këtij operacioni përfunduan të sekuestruara një numër shumë i madh mjetesh, të cilat iu kthyen përsëri përdoruesve të tyre me vendim Prokurorie.

"Kompas" ishte operacioni më i suksesshëm dhe i vetmi që nuk u shfuqizua gjatë këtij viti. Në kuadrin e tij u godit një grup që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës, me të arrestuar Arjan Selimi, Petraq Avrami, Blenard Fejzullahu e Kujtim Popoçin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›