E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përdhunimi në qeli, polici i dyshuar i perjashtuar

30/12/2004  Prokuroria zbulon personin që ka kryer abuzimin e mundshëm me të miturit në dhomat e burgut

Trashgim Sokolaj

TIRANË –Autori i dyshuar i abuzimit seksual me të miturit në qelitë e paraburgimit të Sarandës është një ish-polic, i përjashtuar për abuzime me detyrën. Burime nga Prokuroria dhe nga Ministria e Rendit, thanë dje se hetimet paraprake kanë zbuluar emrin e një personi, i cili është njëri prej autorëve të mundshëm të abuzimit seksual me të miturit, në paraburgimin e komisariatit të policisë së qytetit të Sarandës. Edhe dje, Prokuroria i ka qëndruar versionit që përdhunimi i dy të miturve nuk është provuar dhe se dëshmitari që pohon ngjarjen, mungon. Nisur nga këto rrethana, Prokuroria thotë se ngjarja nuk mund të shkojë tej kufirit të dyshimeve, që duhen verifikuar. Në zbatim të kësaj deklarate, Prokuroria e Përgjithshme dhe hetuesit e qytetit të Sarandës, kanë filluar verifikimet paraprake, duke u nisur nga vëzhgimet në qelinë ku besohet se ka ndodhur skandali.

Autori

Për më shumë se tre vite, i dyshuari ka ushtruar detyrën e tij në komisariatin e policisë së Sarandës. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ai ka patur një detyrë të dorës së dytë, por jo të parëndësishme në ish-strukturat e policisë së qytetit të Sarandës. Dëshmitë e kolegëve dhe disa materiale të tjera për ngjarjen, janë rruga që kanë ndjekur hetuesit për të gjetur emrin e këtij personi. Prokuroria kërkoi dje mbajtjen sekret të emrit dhe identitetit të personit të dyshuar, pasi publikimi i këtyre të dhënave, sipas organit të akuzës, dëmton hetimin. Skandali i përdhunimit të dy të miturve në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Sarandës, u publikua tri ditë më parë. Qendra për Mbrojtjen e Qytetarëve e shpërndau për mediat raportin e saj për gjendjen e paraburgimit. Në këtë raport, thuhet se me dy të mitur 17-vjeçarë që janë mbajtur në paraburgimin e qytetit jugor, është abuzuar seksualisht.

Hetimi

Drejtuesit e Prokurorisë së Sarandës sapo kanë marrë dijeni për skandalin, janë drejtuar në qelinë ku mendohet se ka ndodhur përdhunimi. Një grup hetimor është ngritur. Ai ka në përbërje një prokuror, një hetues dhe disa persona të tjerë, të cilët po kryejnë verifikimet paraprake për ngjarjen. Sipas këtyre verifikimeve, viktima e mundshme e abuzimit seksual (i mituri), ndodhet në Greqi. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e marrjes së tij në pyetje për ngjarjen. Sipas grupit hetimor, autori i dyshuar është përjashtuar nga strukturat e policisë më shumë se tetë muaj më parë, për një abuzim tjetër me detyrën. Për këtë abuzim, i dyshuari është në hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit.

Raporti për skandalin

Qendra për Mbrojtjen e Qytetarëve, publikoi tri ditë më parë një raport, sipas të cilit, në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Sarandës ishin përdhunuar dy të mitur. Sipas dokumentit që është publikuar për mediat, dy viktimat e aktit të rëndë janë A.Sh. dhe G.M., 17-vjeçarë. Sipas hetimit, ata kanë qenë të arrestuar për vepra të lehta penale dhe të dy janë të liruar. Hartuesit e raportit që publikoi skandalin, përdhunimi është dëshmuar nga një tjetër person që është ndodhur në qeli në kohën e ngjarjes. Sipas raportit, dëshmitari mban inicialet F.S. Prokuroria tha se ende nuk është njohur me identitetin dhe dëshminë e këtij personi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›