Berisha: Qëndrimi i PS paradoksal,njeh rezultatin por s’hyn në Kuvend
Maxhoranca është e vendosur të mos pranojë kushtin e opozitës për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit, teksa i bën thirrje asaj të rikthehet në Parlament. Në një intervistë për BBC-në nga Kopenhageni, ku po mori pjesë në Samitin e Klimës, kreu i ekzekutivit e quajti paradoksal qëndrimin e pakicës, e cila nga njëra anë ka njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër nuk e pranon atë. “(Opozita).. ka vendosur të bëjë opozitë jashtë parlamentare duke deklaruar se e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ky është qëndrimi më paradoksal,” tha Berisha për BBC-në. “Qeveria ka bërë ofertën e saj dinjitoze për rikthimin e opozitës në parlament dhe e mirëpret,” tha ai. Në një kohë që kreu i socialistëve Edi Rama ka artikuluar në të gjitha protestat tezën e hapjes së kutive si kushti i vetëm për të futur opozitën në parlament, kryeministri Berisha ka shfrytëzuar marrjen e pyetësorit nga Komisioni Evropian, për ti drejtuar një tjetër apel kundërshtarit të tij politik për arritjen e një konsensusi. Berisha tha se pas marrjes së pyetësorit nga BE-ja ai i ka bërë “publikisht thirrje zotit Rama që të dalim në një konferencë të përbashkët shtypi e ta përshëndesim dhe të shprehim gatishmërinë për të punuar së bashku.” Kreu i qeverisë theksoi në të njëjtën kohë se është e gatshme për bashkëpunim me opozitën, por e përjashtoi mundësinë e një kompromisi të mundshëm për kërkesën e opozitës që një komision parlamentar të hapë kutitë e votimit si pjesë e hetimeve për parregullsitë në zgjedhje. “Kushtetuta nuk e lejon këtë, ligji organik i komisioneve parlamentare nuk e lejon këtë, pra unë nuk mund të them se do të jetë çështje kompromisi shqyrtimi politik i vendimeve të gjykatave,” tha Berisha. kreu i qeverisë shtoi gjithashtu se nëse do hapeshin kutitë e votimit, Partia demokratike mund të fitonte një tjetër mandat në qarkun e Fierit. “Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate,” tha Berisha. Një ditë më parë kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan i bëri apel forcave politike që të gjejnë konsensusin brenda fundit të këtij viti ose në fillim të 2010. “Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi Lohan.