E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje Veliaj-Milo, kreu i PDS: Erioni, jo avokat i Ramës

 Kreu i G99, Erion Veliaj, tha dje se mungesa e informacionit të kreut të PDS-së Paskal Milo për protestat e opozitës, ka lidhje me mungesën e tij në atë moment që kjo ishte vendosur. “Nëse dikush ka mbetur i painformuar, nuk ka të bëjë me çështje thelbësore. është çështje koordinimi”, tha dje Veliaj. Por kreu i PDS-së nuk e pranon këtë interpretim të Veliaj dhe shton se ai nuk duhet të bëjë avokatin e zotit Rama. “Nuk ka nevojë Erioni të bëhet interpret i qëndrimeve të PS-së dhe i kryetarit të saj, zotit Rama, aq më tepër avokat i tij. Keqkuptimet me zotin Rama ose diferencat në pikëpamje e qëndrime i sqaroj dhe i diskutoj vetë drejtpërdrejtë me të. Të gjithë e dimë se Veliaj qëndron në paradhomën e kryetarit të PS-së dhe është me tepër se të tjerët i informuar”, tha Milo. Sipas tij, në takimin e fundit që u zhvillua në Hotel “Tirana”, midis kryetarëve të partive opozitare, Erioni për shkak të vonesës së tij nuk arriti të ndjekë fillin e bisedës nga fillimi dhe qëndroi kokulur dhe në heshtje, si nxënës i bindur para kritikave të kryetarit të PS-së. “Në politikë asnjëherë nuk duhet folur i paautorizuar në emër të të tjerëve, aq më pak me muskujt dhe votat e tyre. Nëse kanë autorizimin për të folur në emër të të tjerëve, aq më keq që e lejojnë veten të keqpërdoren në mënyrën më naive të mundshme”, u shpreh kreu i PDS-së. Ky debat lindi nga mungesa e aleatëve të majtë dhe të djathtë në turin e dytë të protestave të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›