E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maliq, PD-LSI marrin kreun e Këshillit Bashkiak

 Koalicioni i djathtë PD-LSI merr drejtimin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Maliqit. Ky organ vendimmarrës ka filluar të drejtohet që nga mbledhja e radhës e zhvilluar ditën e enjte nga përfaqësuesi i koalicionit qeveritar. Ndryshimet në këshill erdhën pasi përfaqësuesi i LSI-së dhe i PSD-së vendosën të bashkojnë votat me përfaqësuesit e PD-së. Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Maliqit, duke konstatuar ndryshimin e raportit të votave në favor të tyre kanë thirrur një mbledhje jashtë radhe, në të cilën kanë vendosur zëvendësimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Në vend të tij, do të drejtojë Benimon Merollari, i cili është zgjedhur në këtë post pavarësisht se në votim kanë munguar këshilltarët e majtë. Këshilli Bashkiak i Maliqit ka 15 këshilltarë, nga të cilët 8 këshilltarë kanë qenë të majtë dhe 7 të pozicionuar djathtas. Me lëvizjet politike të dy këshilltarëve të LSI dhe PSD, shumica e majtë është rrëzuar. Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, përfaqësues i PS u shpreh se shkarkimi i kryetarit të mëparshëm dhe votimi për kreun e ri të këshillit nuk kanë qenë të rregullta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›