E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në vitin 2010 do shpërthejë kriza

 ALDO KOZARJAProtesta e radhës së opozitës është ndalur në qytetin e Elbasanit. Nga ky qytet kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka folur për herë të parë për vendimin e të mërkurës së qeverisë për shpërblimet e fundvitit dhe shtyrjen e pagës së dhjetorit, e cila do të jepet në janar. Sipas Ramës viti 2010 do të jetë vit i krizës për familjet shqiptare, për shkak të shpenzimeve të mëdha të qeverisë dhe mungesës së politikave për të mbrojtur vendin nga kriza ekonomike. “Viti 2010 do të jetë viti i shpërthimit të krizës në familjet shqiptare. Megjithëse ne e paralajmëruam Sali Berishën prej kohësh dhe e thirrëm publikisht të merrte masa antikrizë për të mbrojtur popullin, jo të bënte rrush e kumbulla paratë e popullit, për të mbledhur vota për veten e tij. Fatkeqësisht, Sali Berisha nuk e dëgjoi as kambanën tonë dhe as kambanën e FMN”, u shpreh Rama. Nga Elbasani kryesocialisti akuzoi kryeministrin Berisha se fshehu krizën ekonomike dhe boshatisi arkën e shtetit në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. “E fshehu krizën dhe i shtoi dramatikisht pasojat e krizës, duke thelluar borxhet për hesap të pushtetit të tij, duke bërë shpenzime të frenuara, para dhe gjatë fushatës elektorale për hesap të pushtetit të tij dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë për hesap të pushtetit të tij, që sot kanë filluar ta paguajnë jo më me të ardhmen e tyre, por direkt me lekët e xhepit të tyre 110 mijë nëpunës e nëpunëse të këtij shteti, që s’do blejnë asgjë për vitin e ri”, theksoi më tej kreu i PS-së. ShpërblimetSipas Ramës një tjetër arsye përse opozita vijon protestat është fakti që buxhetorët po përballen me mosmarrjen e rrogave, ndërsa pensionistët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë energjinë nga viti 2010. “Ne protestojmë sepse njerëzit e kanë të pamundur të festojnë. Ne protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet, e ka të pamundur të festojë për Krishtlindje dhe Vit të Ri. Në vend që të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjes të rrogës së vigjiljes së vitit të ri. Ja pse protestojnë ne”, u shpreh Rama. Sipas tij: “Në vend se të presim festat për të kaluar ca ditë e net të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat tyre, 540 mijë pensionistët të këtij vendi, presin me drithërimë janarin, kur nën derë do t’iu hyjë fatura e re e energjisë. Ja pse protestojmë ne. Në vend se të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë, të harruar në këtë vend, kanë muaj që nuk marrin atë që u takon me ligj. Ja pse protestojmë ne”. Kreu i socialistëve akuzoi kryeministrin Berisha se harxhoi 4 milionë euro për të përgatitur festën e 8 dhjetorit në sheshin “Skënderbej”. “Atyre që mblodhi përdhunisht në sheshin “Skënderbej”, me urdhër të paligjshëm drejtorësh dhe lista apelesh apo të konvikteve të Enverit, me autobusë e trena, nga të katërt anët, duke bërë tym 4 milionë euro tym për të bërë gjysmë orë miting kundër opozitës, sot Sali Berisha u merr lekët e vitit të ri nga xhepi, sepse s’ka lek në arkën e zbrazur për karrigen e tij në 28 qershor, u merr edhe shpërblimin e merituar, sa një rrogë për punën që kanë bërë një vit dhe ju qesh si Xhokeri i Batmanit, duke ju dhënë vetëm një lëmosh, pasi ju ka premtuar 1000 dhurata marramendëse kur ju mori votën”, theksoi më tej lideri i opozitës. Sipas Ramës “viti 2009 po mbyllet me 0 % rritje ekonomike dhe fundi me shifër negative nën zero, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se 10 vjetësh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo njeri që fut dorën në xhep”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›