Oketa dekoron atasheun turk, Hasmet Akyuz
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i dorëzoi dje kolonelit Hasmet Akyuz medaljen “Për shërbime të shquara” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në drejtim të kualifikimit të personelit ushtarak të FA-së, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë”. Duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë, ministri Oketa tha: “Në radhë të parë, dëshiroj që në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura të shpreh ngushëllimet për viktimat që u shkaktuan ditët e fundit në Turqi nga goditjet e grupeve terroriste”. Duke folur për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë, ministri Oketa theksoi se “ato për shumë arsye kanë qenë dhe janë shumë të mira. Të tilla janë edhe ato midis dy forcave tona të armatosura. Turqia dhe forcat e saj të armatosura kanë mbështetur e ndihmuar vazhdimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik dhe tashmë ne jemi në prag të anëtarësimit të plotë në NATO”. Gjithashtu, ai i uroi ushtarakut të lartë turk suksese të mëtejshme në karrierën ushtarake dhe mbarësi në jetën e tij familjare. Kolonel Hasmet Akyuz në fjalën e tij theksoi: “Kam dy vjet që shërbej në Shqipëri dhe ndihem i lumtur që kam kontribuar sadopak në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe ushtrive tona. FA-të Shqiptare janë reformuar e modernizuar, tashmë dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është shumë e afërt dhe kjo mua më gëzon shumë”.