Topi dekreton 20 ligje të qeverisë “Berisha”
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje 20 ligje të qeverisë “Berisha”, mes të cilave buxhetin shtesë për vitin 2008 dhe ligjin për Akademinë e Shkencave. Buxheti suplementar u miratua në Kuvend, në datën 24 korrik, vlera e të cilit është 20 miliardë lekë. Ky ligj u miratua në Kuvend me 72 vota pro, 18 kundër dhe 3 abstenim, pas një sërë debatesh e replikash të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës. Për Kryeministrin Berisha buxheti është një sukses i plotë i reformave të qeverisë. Por opozita e kundërshton, pasi sipas saj, buxheti nuk parashikon asgjë për rritjen e investimeve, politikat sociale dhe sektorët prioritarë, si arsimi dhe shëndetësia. Ndër 20 ligjet e dekretuar dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, janë dhe ndryshimet në ligjin për "Akademinë e Shkencave", ligjin "Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-IT”. Gjithashtu Presidenti Topi dekretoi dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, si dhe pjesëmarrjen në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian për menaxhimin e krizave në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore.