Biberaj, ngushëllime për vdekjen e Lordit Russell-Johnson.
Zv.Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, njëkohësisht edhe kryetar i Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Asamble, deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj, shprehu dje në emër të delegacionit shqiptar keqardhjen për vdekjen e Lordit Russell-Johnson. Lordi Russell-Johnson, ish-President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në periudhën 1999-2002, është anëtar i kësaj Asambleje që prej 23 vjetësh. Z.Biberaj dhe delegacioni shqiptar në KE i përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjes së Lordit Russell-Johnson, Delegacionit Britanik në KE, Grupit Parlamentar Liberal-Demokrat në KE (ku Lord Russell-Johnson bënte pjesë), si dhe të gjithë anëtarëve të Asamblesë. Z.Biberaj u shpreh se "Evropa ka humbur një ndër politikanët më brilantë të këtyre dy dekadave të fundit, një politikan me vlera, principe dhe standarde tepër të larta. Këshilli i Evropës ka humbur një përfaqësues dinjitoz dhe një avokat të shquar të demokracisë, shtetit ligjor si dhe të drejtave të njeriut. Anëtarët e Asamblesë kanë humbur një mik, një koleg, por edhe një shembull të politikës evropiane moderne. Lord Russell-Johnson ishte një njohës i shkëlqyer i Ballkanit, por edhe një mik i madh i shqiptarëve. Duke qenë prej vitesh raporter për Kosovën, Lordi Russel-Johnson kishte kërkuar në rezolutat e tij në KE zbatimin e planit të Presidentit Ahtisari, si dhe pavarësi për Kosovën, pavarësi që u bë realitet me 17 shkurt të këtij viti", - tha z.Biberaj.