Ministrat e rinj, nga Topi, në mbledhje
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përcakton “axhendën” e ditës së parë të punës të ministrave të rinj të kabinetit “Berisha”. Topi nuk thirri dje për të bërë betimin anëtarët më të rinj të qeverisë, duke vendosur që një gjë të tillë ta bëjnë sot që në orën 10:00. Menjëherë më pas, nga Presidenca do të orientohen drejt selisë së Këshillit të Ministrave, ku është lajmëruar dhe mbledhja e qeverisë. Por Kryeministri Berisha ka vendosur t’u japë 30 minuta kohë që ata të kalojnë nga Presidenca në ministritë përkatëse për të marrë pjesë më pas në mbledhjen e qeverisë. Kjo, pasi Kryeministri ka zhvendosur orën e mbledhjes nga ajo 11:00 që bëhet zakonisht, duke e shtyrë me 30 minuta më pas. Në këtë mënyrë, tre të votuarit në Kuvend në seancën e fundit plenare, Fatos Beja, Anila Godo dhe Genc Pollo do të kenë mundësi të takojnë stafet e reja në ministrisë e tyre, të marrin në dorëzim punën e re dhe në 11:30 të nisen për në godinën e Këshillit të Ministrave për mbledhjen e parë si anëtarë të kabinetit qeveritar. Mazhoranca votoi dekretet e Presidentit Bamir Topi për ndryshimet në qeveri në orët e vona të 28 korrikut, dhe pikërisht në seancën mbyllëse të këtij sesioni legjislativ. Kështu, Genc Pollo u shkarkua nga detyra e Ministrit të Arsimit dhe u emërua në postin e zv.kryeministrit me 78 vota. Anila Godo u emërua ministre e Shëndetësisë me 79 vota, ndërsa Fatos Beja mori detyrën e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës me 81 vota. Nard Ndoka u shkarkua nga detyra e ministrit të Shëndetësisë me 74 vota, kurse 7 deputetët demokristianë, ashtu siç edhe kishin premtuar ditën e largimit të tyre nga qeveria, abstenuan për të gjitha votimet në sallën e Parlamentit. Por ende pa u konfirmuar mirë votat pro të mazhorancës, të parët që kanë nxituar të deklarohen pro ndryshimeve dhe dekreteve të Presidentit kanë qenë ata që tashmë njihen si deputetë mbështetës të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano, të grupuar në kuvend si “grupi parlamentar i Qendrës”. Në këtë mënyrë gjashtë votat e anëtarëve të grupit të Qendrës ishin pro lëvizjes së Nard Ndokës nga Ministria e Shëndetësisë dhe emërimin në vend të tij të Anila Godos. Po kështu, dhe për kalimin e Genc Pollos nga Ministria e Arsimit në postin e zv.kryeministrit dhe emërimin në postin e Ministrisë së Arsimit të Fatos Bejës.