Berisha: “Qeveria do të rimbursojë fermerët”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi ditën e djeshme se qeveria do të mbështesë fermerët shqiptarë për fuqizimin e prodhimeve vendase. “Ne nuk do të lëmë asnjë rrugë rurale pa rregulluar, në mënyrë që të fuqizojmë tregun. Kemi dyfishuar fondin për grantet për frutikulturën, për ullinjtë, kemi vendosur rimbursimin e TVSH-së 6 për qind dhe do të kërkoja mbështetjen tuaj që këtë praktikë ta konsolidojmë, si një praktikë europiane dhe një ndihmë direkt për fermerët”, - u shpreh kryeministri Berisha. Gjatë vizitës në fermën e kryetarit të komunës së Xarës, zotit Dhimo Kote, kryeministri vlerësoi sipërmarrjen e ngritur prej tij si një aktivitet konkurrues europian. “Të gjithë fermerëve që kam takuar sot u kërkova që të paraqesin kërkesat e tyre dhe u zotova se ne do t’i mbështesim ato. Motoja jonë është të punojmë së bashku e ta bëjmë Sarandën europiane. Me këtë fermë që keni ngritur, keni dëshmuar një vullnet të hekurt për të ndryshuar dhe zhvilluar këtë zonë, duke i besuar kësaj zone, zhvillimeve dhe potencialeve të saj”, - tha Berisha.
Qeveria do t’i kompensojë qytetarët për rritjen e çmimeve
Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se qeveria do të kompensojë qytetarët nga rritja e çmimit të ushqimeve. Gjatë takimit me fermerë të komunës Xarë në Sarandë, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të marrë masa për të kompensuar qytetarët shqiptarë për rritjen e çmimeve në treg. Opozita flet për rritjen e çmimeve, por qeveria është e vendosur t'i kompensojë ata dhe do ta bëjë këtë. Por nuk pranojmë që me metoda të tjera të mbytet prodhimi vendas. Nuk është rruga e zgjidhjes ulja e taksave apo rritja e tyre për importet. Ne do të kompensojmë një për një pensionistët shqiptarë, rrogëtarët, personat me ndihmë ekonomike, por ne nuk mund të ndërhyjmë e të marrim masa që dëmtojnë prodhimin vendas. Mediat gjithë ditën sulmojnë përse qeveria nuk heq taksën e miellit a grurit, por qeveria është e detyruar të mendojë për fermerët shqiptarë, sepse nëse hiqet ajo taksë, ata duhet të ikin të punojnë në vende të tjera. Por kjo nuk duhet të ndodhë”, - tha Berisha.
3 Maj 2008