E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Sarandën do ta bëjmë me aeroport ndërkombëtar”



Kryeministri Sali Berisha u premtoi sarandjotëve se do të kenë një aeroport ndërkombëtar në qytetin e tyre. Pretimin kryeministri e dha dje gjatë përurimit për fillimin e punimeve për rrugën Sarandë-Qafë Bot, me gjatësi 40.6 kilometra dhe vlerë rreth 29 milionë euro. “Aeroporti është investimi tjetër. Ministri i Transporteve ka marrë të gjitha lejet ndërkombëtare që duhen për shkak të ndërthurjes së hapësirave dhe këndeve që duhej të merreshin në raport me Aeroportin e Korfuzit. Unë ju jap fjalën se Sarandën do ta bëjmë me aeroport ndërkombëtar”, - tha Berisha. Kryeministri vizitoi të gjithë zonën, ku u ndal në qytetin e Sarandës, rrethinat e tij, Butrintin si dhe Konispolin. Gjatë përurimit të rrugës, Berisha u shpreh se gjatë këtij viti, në zonën e Sarandës do të ketë 120 kilometra rrugë të përfunduara. “Brenda vitit 2008 do të mbyllen 120 km rrugë në rrethin e Sarandës. Ju siguroj se shumë projekte të tjera janë dhe do të jenë për këtë zonë. Saranda u shndërrua vitin e kaluar në qendër turistike dhe këtë vit do të jetë po e tillë me më shumë turistë. Investimet do t`i përqendrojmë në zhvillimet në infrastrukturë. Nëse në vitin 2004 janë vetëm 11 miliardë lekë investime sot janë rreth 89 miliardë lekë investime”, - tha kryeministri.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›