Kriza e ushqimeve, qeveria miraton lehtësi në dogana për ulje çmimesh
Erald Kapri
Rritja e ushqimeve ka prekur gjithë botën dhe natyrisht edhe vendin tonë, i cili importon 7.4 herë më shumë mallra ushqimore sesa prodhon vetë. Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në Kodin Doganor, të cilat lehtësojnë praktikën e importit dhe eksportit të mallrave ushqimore. Shqipëria importon mallra ushqimore me shumicë nga vendet e rajonit, por politikat e deritanishme kanë ndikuar që shqiptarët të mos përfitojnë produkte ushqimore të një niveli me vendet e rajonit. Vitin e kaluar hyri në fuqi Marrëveshja CEFTA e tregtisë së lirë me 8 vende të rajonit. Ajo që kjo marrëveshje kishte si risi ishte njohja e origjinës së produktit, çka do të thotë se për një mall të caktuar bujqësor nuk taksohesh dy herë, si në vendin e prodhimit, ashtu edhe në vendin e shitjes së produktit. Kjo i hap rrugë një politike lehtësuese, që do të thotë më pak taksa për produktet e importit bujqësor, por i njëjti kusht dhe lehtësi për eksportet shqiptare.
Shkëmbimet
Procedura përmirëson kuadrin aktual, që pritet të ketë si impakt produkte ushqimore nga importi më të lira dhe cilësore, si dhe një rritje të eksporteve shqiptare bujqësore, çka nënkupton që fermeri shqiptar ta punojë më shumë tokën e tij. Politika doganore në fjalë pritet të ketë një rezultat zbutës në rritjen e çmimeve të ushqimeve në rang botëror, ku Shqipëria pritet të ketë edhe përfitimin e saj. Lehtësia doganore do t’u japë mundësi tregtarëve të konkurrojnë më hapur me çmime konkurruese dhe jo me cilësi. Rritja e prodhimit dhe eksportit do të ulë në një periudhë afatgjatë varësinë e vendit nga produktet e importit. Ulja e deficitit tregtar është jetik për vendin që të fillojë nga bujqësia për shkak të natyrës së produkteve të konsumit. Vendi po rifiton terren duke bërë që në vitet e fundit të rriten eksportet bujqësore. Vetëm pak vite më parë ishim në raport 1 me 10, ndërsa sot importojmë 7.4 dhe eksportojmë 1. Vitin e kaluar eksportet bujqësore u rritën me 25 për qind.
Procedurat
Procedurat e ndryshuara në Kodin Doganor bëjnë një klasifikim të ri tarifor, të cilat bazohen në informacionin e llogaritjes së detyrimeve të eksportit ose importit, përllogaritjes së rimbursimeve të eksportit dhe të çdo lloj shumash të tjera të lëshuara për importe ose eksporte, si pjesë e politikës së përbashkët bujqësore si dhe përdorimit të certifikatave të importit, eksportit ose të përcaktuara paraprakisht, të cilat dorëzohen kur kryhen formalitetet për pranimin e deklaratës doganore për mallrat në fjalë, me kusht që certifikata të tilla të jenë lëshuar bazuar në informacionin në fjalë. Informacioni detyrues i origjinës do të jetë i detyrueshëm për autoritetet doganore, si edhe për mbajtësin e informacionit vetëm për përcaktimin e origjinës së mallrave. Informacioni detyrues i origjinës do të jetë detyrues për autoritetet doganore vetëm për mallrat, formalitetet doganore të të cilave kanë përfunduar pas datës, në të cilën informacioni është dhënë nga ata. Mbajtësi i një informacioni të tillë duhet të jetë i aftë të provojë që, për qëllime origjine, mallrat në fjalë dhe rrethanat, që përcaktojnë marrjen e origjinës, korrespondojnë në çdo aspekt me mallrat dhe rrethanat e përshkruara në informacion.
Zbatimi
Dispozita në fjalë zbatohet për mallrat të cilat mbajnë një markë tregtare, me leje të mbajtësit të kësaj marke, ose mallrat që mbajnë tregues gjeografikë të mbrojtur, apo që janë të mbrojtura nga një patentë a certifikatë shtesë mbrojtjeje. Njëkohësisht vlerësohet e drejta e autorit apo të drejta të tjera të lidhura me të, ose një e drejtë e varieteteve bimore dhe të cilat janë prodhuar me miratimin e mbajtësit të së drejtës, por që janë vendosur në njërën prej situatave të referuara.
Procedura në traun e doganës
1- Llogaritja e detyrimeve të eksportit ose importit;
2- përllogaritja e rimbursimeve të eksportit dhe të çdo lloj shume tjetër, të lëshuara për importe ose eksporte;
3- përdorim i certifikatave të importit, eksportit ose të përcaktuara paraprakisht, të cilat dorëzohen kur kryhen formalitetet për pranimin e deklaratës doganore për mallrat;
4- vlerën doganore të mallit origjinal në tregun e Republikës së Shqipërisë;
5- vendndodhjen e mallit apo destinacionin e tij;
6- karakteristikat që e dallojnë ngarkesën;
7- datën e pritshme të arritjes apo të nisjes së mallit;
8- të dhëna për mjetet e përdorura për transport;
9- të dhëna për importuesin, eksportuesin ose për personin, që posedon mallin;
10- vendin apo vendet e prodhimit dhe itineraret e përdorura për transferim;
11- ndryshimet teknike, kur këto janë të njohura, ndërmjet mallit, origjinal dhe mallit, për të cilin ekziston dyshimi se cenon të drejtën e pronësisë intelektuale.
3 Maj 2008